Prokurorja e Speciales që po kërkon dënimin e Gucatit dhe Haradinajt ka punuar disa vjet në Kosovë

Prishtinë | 02 Tet 2020 | 18:27 | Nga Ekonomia Online

Prokurorja italiane, Valeria Bolici, e cila po e akuzon kryetarin e OVL’së së UÇK’së, Hysni Gucatin dhe nënkryetarin e kësaj organizate, Nasim Haradinajn, për disa vjet kishte punuar në Kosovë, raporton Gazeta Express.

Bolici u paraqit në seancat e para gjyqësore në Dhomat e Specializuara ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, duke argumentuar për akuzat e ngritura ndaj tyre për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Bolici ishte prokurore e EULEX’it, ndërsa ishte marrë me raste të ndryshme në Kosovë, duke u paraqitur jo rrallë herë nëpër gjykatat e vendit.

Më i famshëm ishte rasti “Medicus”, me të cilin u mor Valeria Bolici si prokurore ndërkombëtare e EULEX’it. Përveç pronarik të klinikës, Lutfi Dervishi, në këtë rast akuzoheshin edhe mjekë “Medicus” për krim të organizuar e transplant organesh. Gjykimi i këtij rasti ishte maratonik, ndërsa Bolici e përfaqësonte Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Që nga ngritja e aktakuzës në vitin 2010, prokurorja italiane u mor me këtë rast deri kur u bë Prokurore në Tribunalin Special të Hagës.

Gjatë procesit, Gjykata Themelore kishte urdhëruar mbylljen e klinikës “Medicus”, emri i së cilës kishte zënë hapësirë të madhe edhe në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty.

Bolici ishte prokurore edhe në rastin e “Grupit të Dobrosinit”.

“Grupi i Dobrosinit”, i përbërë nga Valon Jashari, Skender Jashari, Gazmend Lakna, Gazmend Xhemshiri, Qëndrim Rexha, Muhamet Aliu, Skender Selmani, Enver Musolli dhe Abdullah Zogaj, me vendim të EULEX-it, në vitin 2013 ishin shpallur fajtorë për terrorizëm dhe shkaktim të rrezikut. Ata ishin akuzuar për sulm ndaj policisë dhe xhandarmërisë serbe.

Por, pretendimet e Bolicit kishin dështuar të provoheshin. Rasti u mbyll në vitin 2017, kur anëtarët e këtij grupi u shpallën përfundimisht të pafajshëm.

Përveç që mori pjesë nëpër gjykime e ngriti shumë akuza, prokurorja Bolici gjatë qëndrimit të saj në Kosovë ligjëronte edhe në trajnimet që EULEX’i i organizonte për prokurorët e Kosovës.

Në vitin 2018, ajo u ligjëroi prokurorëve kosovarë në një trajnim për rastet e krimeve të luftës. Trajnimi përfshinte këshilla praktike për ndjekjen penale të krimeve të luftës.

Prokurorja e Specializuar, Valeria Bolici në seancën ndaj Nasim Haradinajt i kundërshtoi pretendimet e avokatit të tij, Bas Martens, i cili thoshte se Specialja nuk ka juridikson për veprat të cilat i ngarkohen Haradinajt. Ajo tha se avokati nuk po e përmend ekzistencën e dy dispozitave të rëndësishme në ligjin për Tribunalin Special, që sipas saj japin bazat e juridiksionit të Dhomave të Sepcializuara për ta arrestuar e gjykuar Nasim Haradinajn.

“Në lidhje me kundërshtimin e juridiksionit, vura re se mbrojtësi nuk përmend ekzistencën e dy dispozitave shumë të rëndësishme në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar që japin bazat e juridiksionit të Dhomave për krimet, për ato të cilat është arrestuar z.Haradinaj. Për sa i përket dorëzimit të dokumentacionit, ne do t’i dorëzojmë ato brenda afateve të caktuara nga gjykatësi”, kishte thënë ajo.

Ndërsa gjatë seancës së djeshme gjyqësore ndaj Hysni Gucatit, prokurorja Valeria Bolici kundërshtoi kërkesën e palës mbrojtëse për lirimin me kusht nga paraburgimi të kryetarit të Organizatës së Veteranëve të UÇK’së.

“Mbetet i nevojshëm në këtë fazë paraburgimi i Gucatit pasi nuk ka rrethana të reja që mund të ndikojnë në gjetjet që janë dhënë në aktakuzë. Megjithatë, në disa deklarata të mëparshme publike, Gucati ka afirmuar publikisht që do të vazhdojë të bëjë publike çdo informacion që mund t’i bjerë në posedim e që kanë të bëjnë me lëndën e kësaj gjykate”, tha Bolici.

“Zyra e prokurorit mendon që nëse Gucati do të lirohet, ai do të vazhdoj të kryejë të njëjtën vepër”, shtoi prokurorja, e cila premtoi se për 30 ditë do ta përgatisin aktakuzën kundër Hysni Gucatit.

Të ngjashme