Një prokurore në Kolorado të Shteteve të Bashkuara të hënën shkoi në gjykatë për të bërë një veprim të rrallë, që zakonisht nuk e bëjnë ata që e ushtrojnë këtë detyrë: të kërkojë zbutje të dënimit për një të akuzuar.
Rogel Lazaro Aguilera-Mederos, drejtues kamioni, është dënuar me 110 vite burgim për një aksident fatal të vitit 2019, kur frenat e kamionit që e drejtonte nuk kishin funksionuar dhe automjeti i rëndë kishte goditur disa mjete tjera, duke lënë katër të vdekur.
Prokurorja e distriktit Jefferson, Alexis King, po kërkon nga një gjykatës që të riun ta dënojë me burgim prej 20 deri 30 vjetësh. Prokurorët kanë thënë se i akuzuari nuk ka pasur qëllime kriminale, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.
Gjykatësi Bruce Jones, kur e mori vendimin për dënimin e gjatë, tha se nuk do ta kishte dhënë këtë ndëshkim, por një gjë e tillë kërkohet sipas dënimit minimal për secilën nga akuzat, sipas ligjeve shtetërore. Ky fakt ka nxitur kritika edhe për sistemin e drejtësisë në përgjithësi.
Gjatë shqiptimit të dënimit, i riu shpërtheu në lot dhe kërkoi falje e lehtësim të dënimit. “Kurrë në tërë jetën time nuk kam menduar që ta lëndoj ndokënd”, tha ai.
Rasti ka marrë vëmendje të madhe në Shtetet e Bashkuara. Rreth 5 milionë njerëz kanë nënshkruar një peticion në internet për të kërkuar lehtësim të dënimit për të riun.