Prokurorja në pushim vjetor, dështon gjykimi për korrupsion ndaj zyrtarit policor

Prishtinë | 18 Tet 2019 | 13:43 | Nga Ekonomia Online

Për shkak të mungesës së prokurores Dulina Hamiri, ka dështuar të mbahet seanca e së premtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj zyrtarit policor, Nebi Sheqiri, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe manipulim me prova.

Sheqiri po akuzohet se ka mbajtur në sirtarin e tij të punës një ekspertizë grafologjie, me të cilën evidentoheshin shenjat e gishtërinjve të një të dyshuari për vjedhje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Hamdi Ibrahimi, ka njoftuar të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij, avokatin Fehmi Shala, që prokurorja Hamiti e ka njoftuar gjykatën që për shkak të pushimit vjetor të saj nuk do të mund të merr pjesë në këtë seancë.

Ibrahimi, po ashtu ka thënëa se duke marrë parasysh se prokuroria nuk ka dërguar përfaqësues tjetër të saj në gjykatë, nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e kësaj seance, me ç’rast ka vendosur që seanca e radhës të shtyhet për një afat të pacaktuar.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 28 prill 2017, Nebi Sheqiri, në cilësinë e zyrtarit policor në Stacionin Policor të Veriut në Prishtinë, duke shfrytëzuar pozitën zyrtare, i ka tejkaluar kompetencat e tij.

Prokuroria pretendon se gjatë periudhës 2012 – 2016, derisa e kishte hetuar një rast vjedhje të  rëndë, kishte manipuluar me prova dhe e kishte dorëzuar kallëzimin penal kundër personave “NN”, ku kryesi nuk dihej. Sipas aktakuzës, të njëjtin kallëzim penal kundër “NN” e kishte dërguar në Prokurorinë Publike Komunale në Prishtinë, më 13 nëntor 2009.

Në aktakuzë thuhet se, i pandehuri Sheqiri, pas marrjes së raportit të ekspertizës nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, ku gjurma e vijave papilare e skanuar në sistemin kompjuterik i përkiste personit Besim Berisha, nuk e kishte dorëzuar në prokurori me kallëzim penal shtesë, por e kishte lënë në zyrën e tij.

Me këtë, sipas prokurorisë, ai ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, par. 1 i KPRK – së.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se Nebi Sheqiri në cilësinë e personit zyrtar, ka manipuluar me prova, ashtu që gjatë periudhës 2012 – 2016, derisa e kishte hetuar një rast vjedhje të rëndë, e kishte dorëzuar kallëzimin penal kundër personave “NN”, ku kryesi nuk dihej.

Sipas aktakuzës, të njëjtin kallëzim penal kundër “NN” e kishte dërguar në Prokurorinë Publike Komunale në Prishtinë, me 13 nëntor 2009. Por i pandehuri Sheqiri, pas marrjes së raportit të ekspertizës nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, e ka fshehur atë, duke e lënë në zyrën e tij, në ormanin e tij dhe nuk e ka dorëzuar në prokurori.

Me këtë, prokuroria pretendon, se i akuzuari Sheqiri, e ka kryer veprën penale “manipulim me prova”, nga neni 397, par. 2, lidhur me par. 1 të KPRK – së. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme