Në shikim të parë seksteti “proMODERN” duket sikur një ansambël që në performancë përfshin edhe pjesë teatrale. Rrobat e zeza të pjesëtarëve i japin dramaticitet. Tri solistet përveç jakëve të mëdha e të bardha, që më shumë duken si rrjetë, kanë edhe kosh të vendosur sipër.
Solistët kanë jakë të bardha me pala, që ndryshe njihen si “ruff” e që i karakterizojnë veshjen elizabetiane. Me të njëjtën karakterizohej edhe veshja e Shakespearit, shkruan sot “Koha Ditore”. E kjo nuk është rastësi. Paraqitja skenike e “proMODERN” është vetëm një ornament që ia shton hijeshinë performancës vokale.
Fryma e tillë lidhet mjaft mirë me repertorin e ansamblit. Pjesëtarët e tij këndojnë sonata shakesperiane, por të kompozuara në stilin më bashkëkohor. Duke marrë tekstet nga e kaluara, me veshjet që kanë një domethënie të asaj kohe, ata sjellin një lloj interpretimi tepër modern.
Ky ansambël tashmë është bërë sinonim i interpretimit më të mirë vokal në muzikën bashkëkohore. Ka arritur të ketë famë të gjerë në qarqet muzikore, ka fituar çmime në gara ndërkombëtare dhe mblodhi kritika të jashtëzakonshme.
Të martën mbrëma seksteti u ngjit në skenën e amfiteatrit të Bibliotekës Universitare, për të mahnitur gjithë të pranishmit. U bë pjesë e edicionit të 17-të të festivalit ndërkombëtar të Prishtinës, “ReMusica”.
“proMODERN” është ansambël i themeluar në vitin 2012 me idenë e krijimit të një grupi me solistë të njohur. Pjesë e tij janë sopranoja Łucja Szablewska, mezzo-sporanot Ewa Puchalska dhe Ewelina Rzezińska, tenori Andrzej Marusiak, baritoni Krzysztof Chalimoniuk dhe basi Piotr Pieron