Promovohet krijimtaria poetike e Hysni Gashit

Prishtinë | 28 Qer 2016 | 09:27 | Nga

Në mjediset e bibliotekës komunale “Sulejman Krasniqi” në Rahovec, u bë promovimi i krijimtarisë letrare të poetit Hysni Gashi.

Me këtë rast u lexuan pjesë nga krijimet e Gashit, ku theks të veçantë zunë poezitë që poeti i kishte krijuar gjatë kohës sa ka punuar e jetuar në Rahovec, si dhe poezitë kushtuar njerëzve të vyeshëm të kësaj ane pas largimit të poetit.

Recensione, biografi dhe copëza nga jeta e poetit u shpalosën nga të pranishmit në këtë promovim, ndërsa vetë poeti foli për frymëzimin e vazhdueshëm që Rahoveci i jep atij për të shkruar.

Poeti Hysni Gashi, ka jetuar në vitet ’70 në Rahovec prej nga më pas është larguar si i papërshtatshëm për regjimin komunist. Mirëpo, poeti në shenjë respekti për njerëzit e kësaj ane dhe punën e tyre, ia ka kushtuar përmbledhjen me poezi “Balada e Rahavecit”, si dhe shumë poezi që mund të lexohen në përmbledhjet tjera.

Deri më tani, në moshën 83 vjeçare, ka botuar këto përmbledhje me poezi: Nuk po u zhbëkan popujt, A do t’i falë atdheu, Kronikë në vargje, Ndodhi në agun e lirisë, Koha jonë e dy Ademave, Ejona, Portreti i babës, Zhgënjimi, Malisheva m’i çeli dyert, si dhe përmbledhjen e fundit botuar këtë vit “Kah po vemi”. Në dorëshkrim i ka edhe tri përmbledhje të gatshme me poezi, që sipas autorit presin të shohin dritën e botimit së shpejti. Botimin e një pjese të krijimtarisë poetike të Gashit e ka mbështetur edhe Komuna e Rahovecit.

Aktivitetin e organizoi Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Rahovec.

auto_123451467099078

Të ngjashme