Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në promovimin e Librit “New State, Modern Stateman” i shkruar nga gazetarët britanik, Roger Boys dhe Suzy Jagger.
Në praninë e ministrit për zhvillim ndërkombëtar, Lord Michael Bates, ish-sekretarit të NATO-s, Lord Georg Robertson, historianit Sir Noel Malcolm shumë deputetëve, akademikëve, historianëve, diplomatëve, gazetarëve dhe mysafirë të tjerë, presidenti i Thaçi ka falënderuar autorët dhe botuesin që besoi në këtë libër, në rëndësinë e rrëfimit të së vërtetës rreth Kosovës.
“Falënderoj Lordin Robertson i cili e lexoi librin herët dhe erdhi këtu sot në prezantimin e librit. Kosova gjithmonë do ta kujtojë Lordin Robertson, sepse ai ishte person kyç në kohëra vendimtare për ta ndihmuar Kosovën të bëhej një vend i lirë dhe demokratik”, ka shtuar ai.
Presidenti ka folur edhe për rolin e Britanisë së Madhe në lirinë, pavarësinë dhe procesin e shtetndërtimit në Kosovë.
“Më 18 shkurt, Kosova festoi 10-vjetorin e pavarësisë. Sot, ne duhet të kujtojmë se ishte Britania e Madhe njëra nga avokueset dhe më të rëndësishme për solidaritet me kosovarët kundër dhunës brutale të diktatorit serb Sllobodan Millosheviq”, ka thënë ai.
Presidenti ka thënë Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar janë partnerë të natyrshëm dhe strategjikë.
“Nëse ky libër do të ndihmojë sadopak për ta forcuar këtë aleancë dhe për të kujtuar miqësinë tonë, atëherë unë jam një njeri shumë i lumtur”, ka thënë ai.
Ish-sekretari i NATO-s, Lordi Georg Robertson, ka kujtuar momentet nga periudha e luftës dhe e pasluftës.
“Shpreh kënaqësinë që jam këtu sot me Hashim Thaçin për të shënuar këtë moment shumë të rëndësishëm. Ky libër paraqet në mënyrë të drejtë historinë e një individi dhe historinë e një lufte. Por, para se gjithash, historia është e gjatë, e ndërlikuar dhe e thellë. Nuk është diçka e thjeshtë, siç nuk do të jetë as e ardhmja e saj. Por, siç kanë thënë shumë njerëz në pjesë të ndryshme të botës, ju mund ta respektoni historinë tuaj edhe pa e jetuar atë”, ka thënë ai.
Edhe, Cherie Blair, bashkëshortja e ish-kryeministrit britanik, Tony Blair, ka vlerësuar lart librin.
“Kam qenë shumë me fat që mora një ekzemplar herët të librit. Dhe më duhet t’ju them se bëhet fjalë për një rrëfim mahnitës. Por, më e rëndësishmja, është bërë një hulumtim i thukët nga gazetarët shumë të njohur këtu në Britani të Madhe, pra nga gazeta shumë e respektuar “The Times”, ka theksuar ajo.
Njëri nga autorët e librit, Roger Boyes ka thënë se në të kaluarën historia për Hashim Thaçin nuk ishte shkruar si duhet. “Nëse analizoni arritjet e tij të ndryshme, nga një lider studentor në një moshë shumë të re, ai avancoi në bashkëthemelimin e një ushtrie, duke bindur njerëzit”, ka thënë Boyes.
Ai foli edhe për rolin që Thaçi ka pasur në Konferencën e Rambujesë, në çarmatosjen e UÇK-së dhe më pas në procesin e shpalljes së pavarësisë dhe të shtetndërtimit.
Edhe autorja tjetër, Suzy Jagger, ka theksuar se libri është një rrëfim për perëndimin dhe vetë Kosovën.
“Kujtoj kur Hashimi na rrëfente se vetëm pak më tej kësaj rrugë, në shkallët e Ministrisë së Jashtme britanike (Foreign Office), gjë që përmendet edhe në libër, Robin Cook iu kishte thënë se De Gaulle kishte qëndruar mbi këto shkallë dhe kishte shkuar për ta çliruar Francën dhe se ju tani do të shkoni për ta çliruar vendin tuaj. Dhe mendoj se për ne është shumë interesant fakti që ne përfunduam duke shkruar një libër që në një farë mënyrë ishte po aq për Britaninë sa edhe për Kosovën”, ka theksuar ajo.
Librin, autorët do ta promovojnë ditëve të ardhshme edhe në Paris dhe shtete të tjera të botës.