U promovua libri “Edukata Qytetare” e autorëve Sabri Rexha dhe Nysret Pllana. Nga të pranishmit ky libër u vlerësua lartë dhe i pasur për gjeneratat e ardhshme në universitet.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, tha se ky libër i ka munguar Universitetit të Prishtinës, e në përgjithësi literaturës ndërkombëtare, raporton Ekonomia Online.
“Libri që sot po e promovojmë, është një libër që i ka munguar UP-së dhe rajonit, por në përgjithësi literaturës ndërkombëtare. Sa i përket kësaj lëmie raftat tonë nuk janë shumë të pastra, andaj shpresoj se ky libër do të jetë një kontribut i mirë që t’i pasuroj jo vetëm raftet tona, por edhe të rajonit dhe më gjerë”, ka thënë Dema.
Bashkautori i librit Sabri Rexha tha se të rinjtë kanë shumë pak informacione për Bashkimin Evropian, “ndërsa ne synojmë të shkojmë në BE”.
“Sugjeroj Ministrinë e Arsimit ta analizojmë këtë problematikë, të shohim që ky libër të jetë edhe në fakultetet tjera jo vetëm në Fakultetin e Edukimit”, tha ai.
“Synimi i këtij libri është gjithëpërfshirës, do të thotë lëmi të ndryshme, ngarkesa shoqërore që përputhen me sociologjinë pak a shumë si shkencë që merret me probleme shoqërore. T’i përshtatet shek. XXI dhe ndryshimeve të shpejta që ndodhin në shoqëri dhe në botë”, u shpreh Rexha.
Ndërsa Nysret Pllana u shpreh se ndjehet krenar që e kanë finalizuar këtë libër, “më mirë vonë se kurrë”.
“Të kota ishin kërkesat tona drejtuar organeve kompetente të Republikës së Kosovës për të na ndihmuar financiarisht. Sponsor i vetëm po e them në fund rrofshin bankat komerciale që na kënaqen krejt dhe doli fati që me kredi të finalizohet ky libër”, ka thënë ai.