Është promovuar sot libri “Ekokultura – Natyra në kulturën popullore shqiptare” dhe hapja e ekspozitës “Arterren – Fotografi 2007-2017”, nga profesori Shemsi Krasniqi.
Profesori Krasniqi, autori i librit dhe ekspozitës, tha se ndjehet falenderues ndaj të gjithë personave të cilët e përkrahën në idenë e këtij libri dhe në promovimin e tij, raporton Ekonomia Online.
“Unë vërtetë kam shëtitur në terren, kam shkuar në skajet më të larta të Kosovës, në pikat më ekstreme edhe vertikalisht, jo vetëm horizontalisht, dhe jam future edhe në thellësi nëpër shpella. Në terren kam bërë shumë shëtitje edhe në fusha disiplinore, nganjëherë pa kompetencë me mundësi gabimi por tema ishte e tillë që t’u imponojke. Atë që e kam dëshiru mendoj që e kam realizua sepse kam dashtë me shtru tema apo pista të reja hulumtimeve dhe besoj që duhet të vazhdohet më tutje në këtë aspekt”, shtoi Krasniqi duke treguar rreth ekspreiencës së tij gjatë udhëtimit në terren.
Profesori Ibrahim Berisha, tha se ekspozita sjell imazhin përmes fotografisë duke kërkuar kuptimin, duke gërrmuar kujtesën, duke përkujtuar pamjen dhe duke memorizuar qasjen kolorike të natyrës.
“Në katalog por edhe në ekspozitë janë të paraqitura 100 foto nga 400 sa ishin në zgjedhjen e ngushtë prej mijërave që ishin bërë në terren. Është një kryqëzim zgjedhjesh dhe gërshetim i natyrshëm i artit human dhe natyror i informacionit kulturor dhe artistik por edhe një fije zbulimi i shkëlqyeshëm akademik e artisti. Fërkema dhe shenjat e kohëve të cilat kanë mbijetuar nëpër pjesë të Kosovës ai artefakte sado që kanë qenë rishtazi të dukshme shpesh janë lënë me një anë duke pritur pikërisht këtë dorë e mendje studiuesi e artisti për tu bërë pjesë e komunikimit publik artistik e akademik”, tregoi Berisha.
Ndërsa profesoresha e Antropologjisë, Zanita Halimi, tha se të gjitha fotografitë e ekspozuara në ekspozitë janë të rrethuara dhe të pushtuara nga ndjenja e fortë e profesorit Krasniqi për njohjen, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.
“Çdo njeri krijon, por artisti, shkrimtari, poeti e shkencëtari nuk mund të krijojnë nëse mungon ndjenja dhe energjia të cilat përbëjnë atë që quhet frymëzim, nëse frymëzimi shihet si batica dhe zbatica e tërhequr nga një forcë mistike atëherë në nivel kryeveprash mund të ngihen ato krijime që lindin kur autori rrethohet ndikohet apo pushtohet nga një dallgë ndjenjash e frymëzimesh të brendshme. Të gjitha fotografitë e ekspozuara në ekspozitë dhe katalog janë të rrethuara, ndikuara dhe pushtuara nga ndjenja e fortë e profesorit Krasniqi, për njohjen, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore e natyrore”, shtoi Halimi.
Ekspozita “Arterren: 2007-2017”, arrin të shpërfaqë në mënyrë unike karakteristikat gjeografike, etnografike, sociale dhe antropologjike të kulteve dhe ritualeve popullore.
“Arterren” ngërthen në vete një pamje të plotë të jetës në Kosovë përgjatë shekujve dhe e sjell te publiku, ashtu sikur e thotë edhe titulli, të mbushur kujdesshëm me art dhe mesazh frymëzues.