Është mbajtur promovimi i librit të profesorit të UBT-së, gazetarit dhe publicistit Musa Sabedini, titulluar “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale”, raporton Ekonomia Online.
Libri trajton rëndësinë e etikës si bazë të gazetarisë, ku nga të pranishmit u vlerësua si një ndër librat me të rëndësishëm në kohën kur gazetaria profesionale është në rrezik.
Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, ka thënë se promovimi i këtij libri është një lajm shumë i mirë, duke shtuar se është për tu çuditur qysh deri në vitin 2025 ka munguar një libër i tillë.
“Në fushën e gazetarisë, medias ende ka shumë për të bërë, ka mungesë të literaturës, edhe ka mungesa të tematikave të cila duhet të mbulohen për të arritur kompetencat e duhura. Libri i etikës ndoshta është një lajm pozitiv që për herë të parë kemi një libër të tillë, por është një lajm interesant se qysh deri 2025 nuk kemi pasur një libër të tillë për etiken gazetareske. Etika si aspekt akademik është vendosur shumë lartë në 20 vitet e fundit. Kjo mbetet një prej komponentëve shumë të rëndësishme. Mendoj se këtu ka shumë ku lexuesit mund ta gjejnë vetën. Ka dalë një botim që shpresoj që ti ndihmoj edhe gazetarisë t’i jepet një vlerë të shtuar”, ka thënë ai.
Recensenti i librit, Safet Zejnullahu, ka thënë se ky libër është një libër voluminoz, duke shtuar po ashtu së promovimi i tij vjen në një kohë kur gazetaria është e rrezikuar fortë.
“Është një punë voluminoze, një ekip i tërë do të kishte problem që të mbledh gjithë atë material, gjithë ata autorë të huaj, gjithë ata shembuj pa pasur një përudhe dy-tre vjeçare të hulumtimit. Profesori ka bërë një hulumtim të vazhdueshëm. Etika Musa ka thënë është mburoja e gazetarisë profesionale, unë i them ‘saç’ mbi kokë. Po nuk punove mirë të djeg. Besoj saçin mbi kokë Musa e ka pasur edhe deri sa e ka shkruar librin, duke përzgjedhur shembull, autor e literaturë dhe në fund kemi një libër i cili ka një të metë në thojza, është shume voluminoz që studentët tan të rinjtë tanë që kanë humbur kulturën e leximit. Jemi në një kohë ku gazetaria është e rrezikuar fortë, e etika më së shumti brenda saj, në kohen e internetit. Libri i profesorit dhe ligjëratat tona nuk e shpëtojnë gazetarin, libri na mësim se si të mbrohemi nga shkeljet e çdo fushe sidomos për shkeljet etike”, tha Zejnullahu.
Autori, Musa Sabedini, ka thënë se i janë dashur 15 vite punë që të vije deri të promovimi i këtij libri.
Ai ka shtuar se ky libër do të jetë një udhërrëfyes për gjithë ata që kanë dëshirë që të bëjnë gazetari të mirë.
“Ky libër nuk është bërë sot, ose për një vit apo tre, ky libër ka 15 vite rrugëtim timin. Etikën e kam dashur gjithmonë, në gazetari etika është disiplinë e verifikimit. Nëse një media, nëse një gazetar, nëse një studiues nuk e respektin etiken e verifikimit ai do të ketë gjithmonë telashe me etikë. Gazetaria e stërkeqe që tani e kemi edhe vazhdon që të jetë, ka gazetari të mangët, jo precize, jo të saktë. Unë jam shumë i lumtur nëse ky libër shihet drejtë nga studentët, lexohet saktë, lexohet me kompetencë. Janë diku 700 referenca, citime e linqe. Ky libër ka me qenë udhërrëfyes për gjithë atë që janë të interesuar të shkruajnë me etikë, me disiplinë, duhet larguar prej gazetarisë se keqe, gazetarisë showbizit”, tha Sabedini.