Promovohet libri “Trajtimi intensiv në Pediatri” nga Ramush Bejiqi

Prishtinë | 18 Jan 2018 | 13:11 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në kinemanë “ABC” në Prishtinë u bë promovimi i librit “Trajtimi intensiv në Pediatri” i autorit Ramush Bejiqi.

Bejiqi është profesor i assocuar në fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës. Ai publikoi 29 punime në PubMed, Scopus dhe Impact Factor, po ashtu 8 punime të indeksuara, 2 minigrafi, 131 punime në evenimente shkencore dhe 32 herë ligjërues me ftesë, raporton Ekonomia Online.

Bejiqi, specialistë pediatër, gjatë fjalimit për librin e fundit të tij, shprehi pakënaqësitë për mënyrën e qasjes së politikanëve për përmirësimin e sektorit të shëndetësisë në Kosovë.

Ai tha se pohimi i politikanëve për ndërtimin e xhamive nuk barazohet me vlerën që ka sektori i shëndetësisë në vend.

“Me pëlqejnë politikanët kur thonë të ndërtojmë xhamia, nuk janë ma besimtarë se unë, kur të falni xhumanë të premten ejani dhe shikoni klinikën e pediatrisë, po marojmë xhamia që nuk i kanë as shtetet arabe, ju nuk keni probleme sepse ju shkoni ne spitalet në Shkup, Beograd por çfarë të bëjmë ne të shkretit, ejani ndërtojeni klinikën tonë, nuk ka më të shkojmë në Tiranë, Shkup, Beograd por ka vetëm Prishtinë”.

Ndërsa, Gani Bajraktari, recensent i librit, shtoi se libri ka tri rrafshe kryesore në të cilat hyjnë koha e tranzicionit në të cilën ende po ndodhet shëndetësia kosovare, raporton EO.

“ Rëndësia e këtij libri mund të gjykohet në tri rrafshe, po botohet në një kohë të rëndë për librin për tranzicionin e tejzgjatur, se shumë pak i kushtohet rëndësi kësaj fushe për shkak të tranzicionit. Rrafshi i dytë i këtij libri ka një tematikë të ndjeshme në mjekësi, ndërsa rrafshi i tretë e bën të rëndësishëm sepse ka të bëjë me fëmijët, kolegët pediatër kanë peshë të rëndë sepse kanë të bëjnë me fëmijët që fillojnë shekullin e jetës së tyre”, ka thënë Bajraktari.

Ragip Retkoceri, recensent, dhe doktor i shkencave mjekësore, theksoi se ky libër ka veçantinë e tij pasi që i ndihmon ekipit të kujdesit intenziv dhe atij emergjent për përkujdesjen e fëmijëve në raste të ndryshme.

“Libri do të na shërbejë të gjithëve, ata të cilët ballafaqohen me fëmijët me rrezikun, ku kërkon veprim të shpejtë të saktë dhe të kujdesshëm. Do të jetë libër praktikë, për kujdes intensiv dhe emergjencë”, tha Retkoceri.

Drita Telaku-Qosaj, u.d. drejtor i Klinikës Pediatrike, pas shumë lëvdatave për librin e Bajiqit e si arritje të madhe, tha se doktorët nuk kanë kushte elementare të cilat do të ndihmonin në kryerjen e punëve të tyre në aspektin shkencor.

“Ta shkruash në kushte të Kosovës këtë libër është më vështirë se çka ofrojmë ne si institucion për kolegët tanë që duan të shkruajnë dhe ne nuk ofrojmë asgjë, as hapësirë të mirëfilltë të punës”

“Deri para dy viteve nuk kemi pas as internet të mirëfilltë dhe secili prej nesh vije me laptop në dorë për të shkruar diçka”.

Të ngjashme