Instituti i Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë ka promovuar librin e ri të historianit dhe akademikut boshnjak, Dr. Izet Sabotiq, me titull “Medreseja e Madhe në Shkup (1925–1941)”, raporton Ekonomia Online.
Në këtë ngjarje mori fjalën edhe profesori Arbër Hadri, i cili prezantoi biografinë e autorit, duke e cilësuar Sabotiqin si një studiues të shquar të historisë moderne dhe arkivistikës, autor të 13 librave dhe mbi 320 punimeve shkencore.
“Biografia e shkurtër e Dr. Izet Šabotić (lindur më 3 qershor 1964 në Tucane, Bihor të Sanxhakut) është historian dhe akademik i shquar, me një karrierë të gjatë në fushën e historisë moderne dhe arkivistikës. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen në Berane, ndërsa studimet e larta i përfundoi në Universitetin e Tuzllës, Fakulteti i Filozofisë, Departamenti i Historisë. Që nga viti akademik 1999 është pjesë e Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Tuzllës dhe nga viti 2008 si profesor i rregullt, duke ligjëruar në lëndë të fushës së historisë moderne. Ai ka qenë ligjërues dhe pjesëmarrës aktiv në konferenca shkencore dhe profesionale ndërkombëtare, si dhe organizator i ngjarjeve të shumta shkencore në Bosnjë dhe Hercegovinë. Si specialist i fushës së tij, Šabotić është autor dhe bashkautor i 13 librave dhe librave të teksteve shkollore, me ç’rast mund të veçojmë librat “Reforma agrare dhe kolonizimi në Bosnjë dhe Hercegovinë, 1945–1948” dhe librin që sot promovojmë “Medreseja e Madhe në Shkup: Ngjarja në një gjeneratë”, si dhe mbi 320 punime shkencore dhe profesionale të botuara në revista vendase dhe ndërkombëtare”, ka theksuar ai.
Hadri vuri në pah kontributin e Šabotićit në zhvillimin e studimeve historike në Bosnjë dhe Hercegovinë, rolin e tij si redaktor i revistave shkencore, si dhe angazhimin e tij gjatë luftës në Bosnjë si pjesëtar i Armatës së Bosnjës.
“Ai ka shërbyer si redaktor profesionist në revistat shkencore si dhe 80 botime në historinë dhe arkivën e Tuzlës. Për një periudhë të gjatë ka qenë kryeredaktor i revistave “Arhivska praksa” dhe “Glasnik arhiva” dhe ka marrë poste në borde editoriale dhe recensuese në revistat shkencore në vend dhe jashtë vendit. Duke theksuar gjithashtu Prof. Šabotić, gjatë agresionit serb dhe luftës në Bosnjë, ka shërbyer aktivisht dhe pa ndërprerje si ushtar i rregullt i Armatës së Bosnjës, duke kontribuar në mbrojtjen e vendit dhe të popullsisë civile gjatë agresionit dhe genocidit serb në Bosnjë. Aktualisht, ai shërben si drejtor ekzekutiv i “Qendrës për Kërkime mbi Historinë Moderne dhe Bashkëkohore në Tuzël” dhe si redaktor i revistës shkencore të indeksuar ndërkombëtarisht në Scopus “Historijski pogled”. Përmes këtij angazhimi, profesori Šabotić ka krijuar një hapësirë të rëndësishme akademike për studiuesit shqiptarë nga Kosova dhe trevat e tjera, duke i mundësuar atyre përmbushjen e një kriteri thelbësor të studimeve të doktoratës: botimin në një revistë të indeksuar ndërkombëtarisht. Për këtë mbështetje, i shprehim mirënjohjen dhe falënderimin tonë të thellë. Përveç kësaj, të dy institucionet tona, Instituti i Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë dhe Qendra për Kërkime mbi Historinë Moderne dhe Bashkëkohore në Tuzël, janë duke zhvilluar bashkëpunime të reja, përfshirë organizimin e konferencave shkencore të përbashkëta dhe realizimin e botimeve të përbashkëta”, shtoi Hadri.
Dhe vetë autori, Izet Sabotiq, u shpreh se ndarja fizike mes rajoneve nuk ka penguar bashkëpunimin intelektual, duke theksuar se me kolegët nga Kosova ka punuar prej më shumë se 30 vitesh.
Ai tha se libri është rezultat i mungesës së trajtimit të kësaj teme në historiografinë boshnjake, si dhe motivimeve personale e familjare.
“Ndarja fizike që na ka bërë neve nuk do të thotë që na ndal nga aspekti intelektual. Me kolegët nga Kosova punojmë tash e 30 vite në kontinuitet. Me Institutin e Historisë kam bashkëpunuar duke botuar disa punime në revistën e historisë. Ky promovim është më shumë se promovim, pas një kohe të gjatë po takohemi shokë e kolegë. Kjo do të thotë se është një hap i mirë të bashkëpunojmë në ndriçimin historik. Do t’i them disa karakteristikat më të rëndësishme, çka më ka motivuar ta shkruaj këtë libër janë shumë arsye, e para është mosprezantimi i kësaj tematike në historiografinë boshnjake, e dyta e natyrës familjare.”