Prokuroria po heton se si ka funksionuar kompania “Besa Trans”. Pas bisedës informative në prokurorinë bullgare, pronari i kësaj kompanie Bekim Haxhiu, për herë të parë pas tragjedisë ka postuar mbrëmë në profilin e tij në Facebook dhe ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave. Ky postim sot nuk ekziston në profilin e tij. Haxhiu më herët ka shkruar:
“Allahu ua dhëntë Xhenetin të vdekurve dhe shërim sa më shpejt të lënduarve. Këto fjalë i them me keqardhje dhe me zemër të thyer. Ata ishin edhe familja jonë, sepse sa herë udhëtonim i konsideronim pasagjerët si familje. Ne ishim së bashku në Stamboll për katër ditë dhe vura re se shumica e tyre ishin me ne edhe më herët në udhëtimet me autobus në Stamboll. Këto sprova janë nga Allahu dhe besoj se janë të pranuara nga çdo besimtar, vullneti i Tij nuk mund të ndryshohet asnjë minutë dhe lusim Allahun që të mos e sprovojë askënd”, ka shkruar Bekim Haxhiu, pronari i “Besa Trans”.
VMRO-DPMNE-ja opozitare kërkoi të vërtetohet përgjegjësi për faktin se autobusi i “Besa Trans” ndonëse nuk ka pasur leje për transport të udhëtarëve, ka kaluar kufirin. Sipas opozitës kjo tragjedi tregon se sistemi është jofunksional.
“A është më i rëndësishëm koalicioni LSDM-BDI se jeta e qytetarëve? A duhet të marrë opinioni përgjigje nëse është e vërtetë që drejtori Huseini nuk ka lëshuar urdhër për inspektim në pikën kufitare Deve Bair që nga dhjetori i vitit 2020, ndërsa pikat tjera kufitare si Tabanocë, Bllacë, Qafëthanë dhe Bogorodicë janë inspektuar rregullisht nga inspektorët?”, tha Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së.
Autobusi i djegur i “Besa Trans” këtë vit e ka kaluar 113 herë kufirin e Maqedonisë pa leje për transport të udhëtarëve brenda dhe jashtë vendit. Prokuroria ka marrë tashmë të gjithë dokumentacionin për punën e agjencisë dhe nëse konstaton përfshirjen e dikujt në këtë rast, do të hapë procedurë penale. /Alsat