Pronari i lokaleve në Prishtinë: Jap rroga rreth 300 euro, por s’ka të interesuar për punë

Prishtinë | 14 Sht 2020 | 13:01 | Nga Ekonomia Online

Pronari i një biznesi në Prishtinë thotë se i është dashur ta mbyllë lokalin për shkak të mungesës së punëtorëve. Ai ankohet se pavarësisht pagës që ofron, nuk ka të interesuar për punë

Qe katër ditë thotë se e ka mbyllur lokalin ku shiste produkte të mishit. Krejt kjo, sipas pronarit, si pasojë e mungesës së punëtorëve.

B.P., pronar i lokalit, ka treguar për Express se disa prej punëtorëve që i ka pasur, e kanë lënë punën pa paralajmërim.

“Po kemi pasur punëtorë, e kanë lënë punën qashtu si na shqiptaret pa paralajmërim dhe ja tash ku jemi. Tash edhe këtu në këtë pikën në Dardani, punëtoren qe e kemi nuk vjen në punë me arsyetimin se do të fejohet dhe deri sa t’i kryen çështjet e fejesës e arsye banale”, ka thënë ai.

I pyetur se a janë ankuar punëtorët para se ta lënë punën, ai ka thënë se nuk ka pasur ndonjë pakënaqësi prej tyre. Thotë se vetëm e kanë lajmëruar përmes telefonit.

“Jo s’ka pasur ankesa, por as ne nuk i dimë arsyet, sepse largimet kur vendosin me lanë punën vetëm në tel na shkruajnë se nuk do te vijnë më”, ka thënë ai.

B.P. ka bërë të ditur se i është dashur ta mbyllë njërin prej lokaleve, si shkak i mungesës së punëtorëve.

Ai thotë se paga që ofron, është e kënaqshme.

“Jemi detyruar ta mbyllim lokalin për arsye se nuk ka interesim të punuar, njërën anë ankohemi dhe e fyejmë shtetin, ndërsa punë nuk duam. Paga është e kënaqshme dhe vendi i punës është i mirë 7 orë e 30min paga 280€, 8 orë punë paga 300€, 9 orë punë paga 330€, por punëtorë s’ka. Konkurse hapim thuajse çdo 2 javë, gjithë konkursin e kemi te hapur në çdo kohë”, deklaron ai.

“Në telefon thirrin dhe shkruajnë 30 veta, ndërsa kur i ftojmë në intervistë me ardhë me bisedu vijnë 2 ose 3 max, prej këtyre 3 vajzave këto 3 tani kanë kushte, jo unë dua vetëm paradite orarin dhe të shtunave pushim, d.m.th. shumica me kushte te veçanta”, ka thënë ai.

Të ngjashme