Një vajzë e mitur dyshohet se është sulmuar seksualisht në Prishtinë.
Vetëm të mërkurën e 27 korrikut të vitit 2022, janë raportuar tri raste të sulmeve seksuale ndaj të miturve. Prishtina, Obiliqi dhe Mitrovica, janë vendet ku kanë ndodhur ngjarjet.
Për njërin nga këto raste, i ndodhur në kryeqytet, Portali Dukagjini ka siguruar dëshmi, derisa dëshmitarët (një nga të cilët – nëna e viktimës), konfrontohen me të dyshuarin.
Siç është mësuar nga burimet e portalit, personi i cili dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një vajzë të mitur (6-vjeçare), është mbi 50 vjeç, dhe i njëjti është pronar i një marketi në një lagje të Prishtinës.
Po ashtu, edhe viktima është banore e asaj lagjeje.
Sipas burimeve, dy dëshmitarë, teksa kanë hyrë spontanisht në dyqanin e të dyshuarit, e kanë parë atë derisa abuzonte seksualisht me të miturën.
Me të parë atë veprim, dëshmitari fillimisht e ka pyetur “çka e ke këtë vajzë?”, duke iu referuar viktimës, kurse i dyshuari i është përgjigjur se është vajza e tij.
Dëshmitarët të cilët po ashtu janë banorë të së njëjtës lagje, janë larguar nga dyqani për t’u kthyer përsëri pas pak minutash.
Pas gjithë konfrontimit të zgjatur për disa minuta, i dyshuari kupton se është njoftuar policia për rastin.
Derisa dëshmitarët presin ardhjen e njësisë përkatëse policore, i dyshuari tenton të largohet nga vendi i ngjarjes.
Madje në një moment, në pamjet e siguruara nga Portali Dukagjini, shihet derisa mundohet të ikë me veturën e tij, duke i rrezikuar edhe të pranishmit.
Pas arritjes së policisë, i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti kishte sulmuar seksualisht një femër kosovare (fëmijë)”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.