Pronari i vërtetë i jahtit të braktisur në Shëngjin është person tjetër

Prishtinë | 09 Sht 2019 | 16:57 | Nga Ekonomia Online

Në jahtin e gjetur pak ditë më parë 12 milje larg Shëngjinit, Policia Kufitare e shqipërisë gjeti disa dokumente që mbanin emrin e shtetasit turk, Sevgin Javuz.

Ajo hodhi dyshimet se ai mund të ishte pronari i mundshëm, por pa arritur t’a konfirmojë dot për shkak se në jaht nuk ndodhej askush.

Për turkun Sevgin Javuz policia ka nisur kërkimet, në bashkëpunim me homologët e saj në Ankara si dhe me Interpol Tirana.

Top Channel ka arritur të zbulojë se kush është pronari i jahtit të quajtur Atik Bey, i cili është ankorur në portin e Shëngjinit. Në kontakt me kompaninë Tur Marine në Turqi, rezulton se jahtin e ka shitur vitin e shkuar tek një biznesmen turk.

Nga të dhënat e monitorimit të lundrimit të mjeteve, jahti Atik Bey, në datën 30 gusht ka qenë në Budva.

Po në këtë datë, në Budva të Malit të Zi ka qenë edhe pronari i saj, Nedim Akyuz, i cili ka postuar një foto të tij në Instagram.

Javën e fundit të gushtit, jahti ‘Atik Bey’, ka qenë duke lundruar në ujërat territoriale të Kroacisë, siç shihet në foton e destinacioneve të regjistruara nga Vessel Finder.

Në datën 24 gusht, Nedim Akyuz ka hedhur një tjetër foto në Instagram duke lundruar në detin poshtë një ure në Kroaci, e cila quhet ura KRKA.

Një tjetër sistem monitorimi i cili regjistron lundrimet e mjeteve detare, tregon që në datën 3 korrik të këtij vitit, jahti Atik Bey, ka qenë në NAXO të Greqisë. Po në të njëjtin vend dhe në të njëjtën datë, pronari i saj Nedim Akyuz ka hedhur një tjetër foto në rrjetin social instagram.

Vitin e kaluar kompania që ka shitur Jahtin e llojit kataraman, ka postuar një foto të tijën, ku është përmendur edhe emri i jahtit dhe të pronarit të saj.

Më pas, e njëjta kompani ka postuar një video në instagram ku shkruhet emri i jahtit dhe shihet dikush që luan golf mbi të. Sipas kërkimeve, ai rezulton të jetë Nedim Akyuz.

Ky i fundit, nga kërkimet rezulton se është biznesmen në fushën e tekstileve i cili e zhvillon aktivitetin e tij në Turqi.

Ajo çka ende mbetet mister është nëse ka qenë Sevgin Yavuz i cili drejtonte jahtin atë ditë, apo ka qenë dikush tjetër.

Të ngjashme