Pronat e komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi e kallëzon penalisht për 20 kontrata Xhafer Tahirin, ish-kryetari i mohon pretendimet

Prishtinë | 14 Gus 2023 | 19:12 | Nga Ekonomia Online

Përplasjet e ashpra mes PDK e LDK në Vushtrri po vazhdojnë edhe gati 2 vite pas zgjedhjeve komunale të 2021’ës, të cilat ndryshuan pushtetin në këtë komunë. Qeverisja aktuale e Vushtrrisë, një sërë dosjesh e kallximesh penale i ka deponuar në Prokurori të Shtetit kundër ish-pushtetarëve nga LDK’ja. Një të tillë e ka deponuar edhe vetë kryetari Ferit Idrizi, direkt, ndaj ish-kryetarit, Xhafer Tahiri.

Anëtari i kryesisë së LDK’së që për një mandat udhëhoqi Vushtrrinë, Xhafer Tahiri, u kallëzua penalisht në Prokurorinë Speciale të Kosovës nga kryetari aktual i kësaj komune, Ferit Idrizi, që vjen nga radhët e PDK’së. Kallëzimi penal ishte deponuar në Prokurorinë Speciale në shtator të vitit 2022.

Në kallëzimin penal të deponuar nga kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, pretendohet se ish-kryetari Xhafer Tahiri, ka keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, gjatë qeverisjes së tij në këtë komunë.

Në kallëzimin penal të kryetarit të Vushtrrisë ndaj ish-kryetarit Xhafer Tahiri, të cilin e ka siguruar gazeta online Reporteri.net, anëtari i kryesisë së LDK’së denoncohet për 20 kontrata me operatorë ekonomikë të nënshkruara nga ai, për dhënien në shfrytëzim të pronave të paluajtshme të komunës, gjatë mandatit të tij qeverisës.

Fjala është për disa prona në parkun e Industrial në Lumadh të Vushtrrisë. Kontratat ishin nënshkruar nga atëkohë kryetari Tahiri me 14 qershor 2021. Disa muaj pas, në dhjetor të 2021-ës, Zyra Ligjore e Komunës së Vushtrrisë, kishte konstatuar se kontratat janë në kundërshtim me ligjin, pretendohet në kallëzimin penal.

Kërkesën për interpretim ligjor të kontratave nga Zyra Ligjore, ishte bërë nga ish-drejtori i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë të Komunës së Vushtrrisë.

Kjo pasi, siç pretendohet, në kontratat e lëshuara nga komuna e Vushtrrisë parashihej se operatorët ekonomikë, përfitues të shfrytëzimit të pronave komunale, mund ta lëshojnë me qira si dhe ta bartin të drejtën e marrjes në shfrytëzim afatgjatë të objektit të kontratës apo një pjesë të tij, tek një operator tjetër ekonomik.

Të ngjashme