Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë pretendon se policët e Kosovës kanë qenë të “armatosur deri në dhëmbë”.
“Të tre të arrestuarit kanë qenë me mjete të plota ushtarake, të armatosur me tri pushkë automatike, municion, pajisje GPS, harta dhe pajisje të tjera”, ka thënë Zeljko Brkiq, sekretar në MPB në një konferencë të jashtëzakonshme për media, raporton B92.
Siç pretendon ai, policët e Kosovës janë arrestuar në fshatin Gnjilicë të komunës së Rashkës, më shumë se një kilometër thellë në territorin e Serbisë.
“Theksoj se Republika e Serbisë është një vend serioz dhe se pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme në asnjë moment nuk kanë kaluar, nuk kanë qenë afër vijës administrative dhe për këtë arsye nuk e kanë shkelur rezolutën 1244”, tha Brkiq.
Ai po ashtu tha se policia në bashkëpunim me prokurorinë kompetente do të vazhdojë punën e mëtutjeshme.