Propaganda e Vuçiq për sulm të Kosovës në Veri edhe në BBC, Qeveria s’ka koment

Prishtinë | 27 Dhj 2022 | 13:49 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës hesht, ndërsa në 2 kilometra afër kufirit u vendosën topa me rreze të gjatë veprimi të ushtrisë serbe, trupat e së cilës u vendosën “në gatishmëri të lartë” me urdhër të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Në terrenin propagandues të mirëmbajtur nga Serbia, një koment nga Kosova mungoi edhe në raportimin e mediave të mëdha ndërkombëtare, si BBC-ja për shembull.

Serbia i ka bërë të rregullta përpjekjet për eskalim të situatës në veri të Kosovës. Të hënën pasdite, ushtria serbe solli automjete të rënda ushtarake, përfshirë topa me rreze të gjatë veprimi 2 kilometra afër kufirit në Jarinjë. Por, vetëm sa për shëtitje. Mjetet ushtarake u kthyen menjëherë në kazermë.

Ajo që dihet, është se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është dirigjenti i krejt kësaj.

Megjithatë, askush nga Qeveria e Kosovës dje nuk bëri zë për këto “manovra’ e deklarata të Serbisë dhe kështu, krejt hapësira iu la narracionit të Beogradit. Ekzekutivi kosovar në fakt rrallë përgjigjet në pyetjet e mediave. Një koment nga ana e Kosovës mungoi edhe në një raportim të BBC-së, rrjetit më të madh transmetues në botë.

BBC raportoi të hënën se si Serbi i ka vendosur në gatishmëri të lartë trupat ushtarake. Pasi tregoi se Vuçiq ka thënë se “do t’i marrë të gjitha masat për ta mbrojtur popullin dhe për ta ruajtur Serbinë”, mediumi britanik shkroi se Qeveria e Kosovës “nuk ka bërë asnjë koment lidhur me këto akuza”. Sipas Vuçiq dhe mediave të tij Kosova po planifikonte sulm në Veri me 1500 trupa dhe kjo ishte arsyeja që e mobilizoi ushtrinë që të jetë në gjendje gatishmërie. Po ashtu  fliste se pala kosovare i ka në gjendje gatishmërie forcat e saj.

Përmasat e propagandës serbe u rritën me një urdhër që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ia dha të dielën shefit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviq. I tha që të shkonte në Rashkë, në afërsi të kufirit me Kosovën.

Mojsiloviq tha se situata është e tillë që “kërkon praninë e ushtrisë serbe”, duke shtuar se “detyrat që i janë dhënë ushtrisë serbe janë precize dhe të qarta”, pa shpjeguar se për çfarë e kishte fjalën.

Paraprakisht, disa media kishin raportuar se rreth orës 20:00 të së dielës ishin dëgjuar shkëmbime zjarri në Zubin Potok dhe se të shtënat kishin ndodhur pasi Policia e Kosovës, sipas tyre, kishte dashur t’i hiqte barrikadat në këtë komunë në veri të Kosovës.

Policia i mohoi këto pretendime, duke deklaruar se “nuk ka pasur shkëmbim zjarri ndaj askujt”.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR-i konfirmoi se “ka dëgjuar dhe ka parë” të shtëna në afërsi të një patrulle në Zubin Potok. Por nga zyra për media e KFOR-it thanë se “nuk ka të lënduar dhe nuk ka dëme materiale”. Ndërkaq, thanë se “po i kontrollojmë faktet”.

Ushtria serbe thotë se është “në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake” kur tashmë janë bërë 18 ditë nga vendosja e barrikadave në veri dhe kur situata sa po vjen e po tensionohet më shumë. Edhe barrikadat po shtohen. Mëngjesin e sotëm u panë dy barrikada të reja në atë pjesë të Kosovës.

Të ngjashme