Ka vazhduar propaganda e eksponentëve të pushtetit duke e akuzuar “regjimin e vjetër” si përgjegjës për eksodin masiv kombëtar që nuk po ndalet edhe në “regjimin e ri”.
Paradoksalisht, më të zëshmit në këtë fushatë po spikatin disa “ish-sekserë” të “regjimit të vjetër”.
Ata edhe mund ta mashtrojnë veten, apo të tentojnë ta miklojnë egon e padronit të tyre të ri, si dhe të sajojnë paqavure ideologjike për ta amnistuar dështimin e tyre, por një gjë nuk mund ta mohojnë dhe ta zhbëjnë, se megjithatë ky shkretim i Kosovës nga pjesa më vitale e saj, lidhet edhe me politikat e tyre qeverisëse.
Sepse njerëzit nuk ikin vetëm nga gabimet e së kaluarës, por edhe nga mungesa e shpresës për të ardhmen. Dhe është pikërisht pushteti aktual që nuk po arrin të ngjallë këtë shpresë dhe besim se mund t’i promovojë ndryshimet e domosdoshme.
Kështu, sipas rinisë kosovare braktisja ka mbetur e vetmja alternativë. Sepse asgjë e mirë nuk mund të ndodhë këtu. Se solidariteti politik është gërryer. Prandaj, edhe shpëtimin duhet kërkuar në mënyrë indivduale.
Ashtu sikur pushteti që është shndërruar në trampolinë për të ofruar vetëm zgjidhje për individë të veçantë.
Ky abys trishtues mbase është simptoma më fatale e kësaj shkapërderdhje shoqërore. Dhe që po vazhdon edhe në “regjimin e ri”.