Me vargje të këngës të përkthyera nga gjuha shqipe në atë serbe, por duke sajuar lajm tërësisht të rremë pikërisht mbi atë tekst, mediat në Serbi, sikurse gazeta bulivardeske “Alo”, ka raportuar për Festivalin e Këngës në Shqipëri, edicionin e 61 të tij.
Me titullin “Skandal! Shqipëria shkel rregullat e Eurovisionit, publiku është tmerruar: Një përfaqësuese nga Peja këndon për shtetin e rremë të Kosovës”, ky tablloid pretendon se këngetarja Albina Kelmendi dhe familja e saj, i këndojnë Kosovës.
Sipas këtij tabloidi, ende nuk ka nisur gara për këngën më të mirë të Eurovizionit dhe tashmë – “Shqipëria ka krijuar një skandal që tmerroi publikun”.
Kjo gazetë pretendon se Shqipëria zgjodhi përfaqësuesen e tyre për Eurovizion, që do të mbahet në Liverpul, në majin e vitit të ardhshëm, duke u bazuar nga votat e publikut, nga Shqipëria dhe Kosova.
Kosova.
“Ajo që është veçanërisht skandaloze në gjithë situatën është se në këngë, Albina këndon për të ashtuquajturën Kosovë, prej nga është ajo”, shkruan ky tabloid.
Sipas këtij tabloidi, duke qenë se këngëtarja është nga Peja, Shqipëria me këtë lëvizje shkelë rregullat rreptësisht të përcaktuara të Eurovizionit.
“Në këngën e saj, Albina këndon për Kosovën dhe përfaqëson Shqipërinë – gjë që është e papranueshme dhe e dënueshme sipas rregullave të Eurovizionit’, shkruan gazeta.
Por, të pavërtetat e kësaj gazete shkojnë deri në atë nivel, sa përfshinë brenda artikullit gjithashtu me lajm të rremë, edhe fyrjet e komentuesve të ndryshëm.
“Shpresojmë që fansat e Eurovizionit ta kuptojnë se kjo nuk është një këngë normale”, citohet të ketë deklaruar një komentues.
“Bëhet fjalë për anëtarët e familjes që nuk flasin me njëri-tjetrin dhe harrojnë gjakun e tyre”, shkruan një komentues tjetër, komentin e të cilit gazeta e ka përfshirë në këtë lajm.
Në fund, vetë gazeta jep konstatimin mbi këtë këngë. “Duket se publiku europian nuk është shumë i entuziazmuar për këngën që trajton temën e familjes dhe tradhtisë”, shkruan në këtë artikull të mbushur me të pavërteta ky tabloid, duke rënë ndesh me ato që ka shkruar tre paragrafe më lart, e sipas të cilit, kënga i dedikohet Kosovës.
Këngëtarja pejane Albin Kelmendi dhe familja e saj, fituan të drejtën e përfaqësimit të Shqipërisë në Eurovizion 2023, që këtë vit mbahet në Liverpul të Britanisë së Madhe.
Kjo pasi Ukraina si fituese e edicionit të fundit, nuk mundi ta organizojë për shkak të agresionit rus.
Kënga e Albin Kelmendit u zgjodh me votat e publikut të dërguara me mesazhe telefonike, kurse çmimin e parë të festivalit e fitoi këngëtarja Elsa Lila me këngën “Evita”.
Përndryshe, kënga “Duje” me të cilën Shqipëria do të garojë në Eurovizion, flet në tërësi për lidhjen dhe dashurinë që familja duhet ta ketë mes vete, si edhe për ruajtjen e traditës së lidhjeve e harmonisë familjare, siç dikur ishte më shumë prezente në familjet shqiptare, por edhe më gjërë.