Propozim për Ministrin e arsimit Likaj, për organizimin e procesit mësimor nga shtatori

Prishtinë | 23 Kor 2020 | 20:22 | Nga Ekonomia Online

Duke parë gjendjen e krijuar nga pandemia në të gjithë botën duke përfshirë këtu edhe Republikën e Kosovës e cila që nga 13 marsi 2020 ka ndërpre procesin mësimor duke u munduar që nga kjo ditë të improvizojë mbajtjen e procesit mësimor, i cili proces është organizuar jashtëzakonisht shumë mirë për kohën e mbetur të vitit shkollor 2019/2020.

Ishte organizuar mirë, kur dihet koha e shkurtër për organizimin e këtij procesi dhe duke shtuar se ne si shoqëri nuk kemi qenë të përgatitur për organizimin e procesit mësimor online në distancë duke parë edhe mungesën e infrastrukturës në Kosovë, sidomos në pjesët rurale ku ekonomi është e pa zhvilluar dhe ka mungesa të theksua të infrastrukture për zhvillimin e procesit mësimor online.

I nderuari Ministër,

Brenga ime është, por besoj edhe secilit prind, mësimdhënës, drejtor shkolle, drejtor i DKA-së, por edhe të secilit qytetar të Republikës së Kosovës duke ju përfshirë edhe juve si ministër, se shtatori vjen shpejt e gjendja me përhapjen e virusit nuk është e kënaqshme për shkak të rasteve te reja të cilat po shtohen.

Ekziston rreziku i madh se edhe në shtatori mund të mos fillojmë me proces të rregullt mësimor dhe dëmet tek nxënësit nga ky mos fillim i procesit mësimor të rregullt do të jenë shumë të mëdha.

Ju kuptoj se gjendja sa i përket pandemisë që e ka përfshirë botën nuk është në dorën tuaj dhe ju si ministër nuk mund të bëni ma shumë në përmirësimin e kësaj gjendje. Mirëpo, kërkoj miqësisht si një person me përvojë në procesin mësimor si mësimdhënës dhe si menaxher në arsim afër dy dekada, të mendohet qysh tash si të veprohet nëse në shtator nuk do të kemi mundësi t’i kthehemi procesit mësimor të rregullt.

Prandaj, propozoj se si mund të veprohet në këtë situatë, nëse nuk do të mund të fillojmë me procesin mësimor të rregullt.

Propozimi i parë:

Të bëhet ndarja e paraleleve, ku nga një paralele të krijohen dy ose tri paralele varësisht nga numri i nxënësve të cilët mund të jenë në klasë, ku kjo do të ishte përparësi për vendet rurale. Numri i nxënësve në klasë në viset rurale është më i vogël dhe me një ndarje të paraleles do të krijohej një numër shumë i vogël i nxënësve në klasë ku nuk do të kishte po thuajse asnjë rrezik sa i përket afërsisë në mes të nxënësve.
Ky problem, do të ishte më i madh në qytete për shkak të numrit shumë më të madh të nxënësve nëpër klasa, mirëpo të ndahen në tri pjesë klasa, ku me ndarjen e klasës në tri pjesë besoj që do të arrihet numri i nxënësve më pak se 15 nxënës në një klasë.
Procesin mësimor do të organizohej me dy grupe: Grupi i parë dhe i dytë.

Ky proces mësimor do të organizohet një orë mësimore që do të zgjaste 25 minuta, nxënësit e secilit grup do të ishin brenda objektit shkollor jo më shumë se 3 orë, ku grupi i parë do ta filloj procesin mësimor në ora 8:00 dhe do të përfundonte në ora 11:00, ndërsa grupi i dytë do ta fillonte procesin në ora 11:00 dhe do ta përfundonte ne ora 14:00, mandej në ora 14:05 do të fillonte procesin mësimor grupi i parë i ciklit klasor deri në ora 16:00, dhe nga ora 16:00 deri në ora 18:00 grupi i dytë i ciklit klasor. Gjithmonë që edhe gjatë kësaj kohe të qëndrimit të nxënësve në shkollë, të respektohen rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit publik të Kosovës dhe OBSH-së.

Ky propozim për organizimin e procesit mësimor do të ishte më i ngarkuar për mësimdhënësit për arsye se brenda ditës secili mësimdhënës do të duhej t’i mbante orë të përsëritura (shpjegim: do të thotë si grupi i parë si grupi i dytë do ta kishin të njëjtin orar të mësimit dhe secili mësimdhënës siç e kam shpjeguar në grupin e parë duhet ta shpjegojë edhe në grupin e dytë, që do të thotë se do t’i mbaj dyfishin e orëve brenda javës si p.sh. se nëse një mësimdhënës që i ka 20 orë mësimi do t’i mbaj gjatë javës 40 orë me të dy grupet. Kjo do të ishte një ngarkesë për mësimdhënësit, mirëpo duke shpresuar që kjo gjendje do të kalohet në një të ardhme të afërt.

Nëse vendosni si Ministri të shkoni me këtë propozim, ju duhet te keni konsulta me te gjithë akterët të cilët merren me organizimin e arsimit në Kosove siç janë: Komunat, DKA-të, Sindikata, Këshilli i prindërve etj.

Propozimi i dytë:

Nëse mendoni që në shtator të fillohet prapë me mësim online siç është vepruar deri në qershor, atëherë unë mendoj se ky mësim duhet ta ndërrojë modelin.

Mendimi im është që të bëhet mësimi online mirëpo së pari duhet të bëhen disa përgatitje ku në bashkëpunim me DKA-at, dhe shkollat së pari të bëhet hapja e një WEB faqe për secilën shkollë në të gjitha shkollat e Kosovës, të cilin WEB, do t’i menaxhojnë drejtorët e shkollave, ku do të vendoseshin të gjitha orët mësimore të shpjeguar nga arsimtarët e asaj shkolle sipas orarit ditor të cilin do ta hartonte drejtoria e shkollës sikurse vitet tjera.

Ideja është që nxënësit të kenë shpjegimin e secilës lëndë mësimore nga ana e arsimtarëve të tyre dhe të ekspozuar në WEB-in e shkollës për arsye se nxënësit shumë më lehtë e kuptojnë mësimdhënësin e tyre se sa një mësimdhënës tjetër që nuk e njeh, dhe kontaktet që kanë nxënësit më mësimdhënësit e tyre ju japin mundësi që të kërkojnë shpjegime shtesë në ato gjana që nuk i kuptojnë eventualisht gjatë shpjegimit.

Mësimdhënësit e secilës shkollë duhet t’i përgatisin orët e tyre mësimore sipas orarit të cilin e cakton drejtoria e shkollës duke bërë incizimin e këtyre orëve dhe pastaj ua dërgojnë këto incizime drejtorit të shkollës dhe mandej drejtori i shkollës t’i vendos në WEB e shkollës. P.sh. nëse klasa VI/1 ka të hënën 6 orë mësim, atëherë ato 6 orë këta nxënës do t’i kenë në WEB të shkollës të përgatitur nga mësimdhënësit e tyre dhe të vendosur nga drejtori i shkollës sipas orarit mësimor, ndërsa detyrat e shtëpisë nxënësit do të ishin të obliguar t’ia dërgojnë arsimtarit të lëndës varësisht se si do të binin dakord më arsimtarin e lëndës në rrjetet e tyre sociale.

Nëse kjo situatë do të vazhdonte deri në fund të periudhës së parë, të mendohet që notimi i nxënësve të bëhet gjithsesi në shkolla sepse në këtë situatë, më së shumti problematike është vlerësimi real i nxënësve, ku ky notim do të mund të bëhej me një orar ku do të vinin grupe të vogla të nxënësve në shkollë për t’u pyetur nga ana e arsimtarëve. Ky orar do të caktohej nga ana e arsimtarëve në bashkëpunim me drejtorin e shkollës dhe do të publikohej në WEB-i e shkollës.

Propozimi i tretë:


Kurse si propozim të tretë, organizimi i mësimit të bëhet ndarja sikur në propozimin e parë në grupe, ku mandej grupet do të mbanin mësimin një ditë mësimi një ditë pushim si p.sh:
Grupi i parë do të mbante mësim: Të hënën, të mërkurën, të premten.
Grupi i dytë do të mbante mësim: Të martën, të enjten, të shtunën.

Ky proces mësimor do të zhvillohej me nga 25 minuta ora mësimore dhe brenda ditës secili grup do të mbante 10 orë mësimore, dhe kur e llogaritim tri ditë mësim që do t’i mban njëri grup me nga 10 orë mësimi në ditë, do të rezultonte me 30 orë mësimi në javë për secilin grup dhe kështu do të zhvilloheshin të gjitha orët mësimore të parapara sipas plan programit.

Në bazë të këtij propozimi nxënësit do të kalonin një kohë pre 300 minuta në objektet shkollore ose 5 orë, respektivisht nga ora 08:00 deri në ora 13:00 cikli lëndor ndërsa cikli klasor do të kalonin 4 orë ku brenda ditës do të mbanin 8 orë mësimi me nga 25 minuta, nga ora 13:00 deri në ora 17:00.

Të ngjashme