Kujt t’i besohet : Qytetarët e Kosovës , në mungesë të informatave zyrtare po bombardohen me propozime të ndryshëm që lëshohen si flluska sapuni për të matur reagimet e opinionit . Pas kësaj , nëse reagimi është më kundërshtues , shtetet që nuk po ofrojnë asnjë zgjidhje por futjen e problemit në turshi për një afat , fillimisht 10 vjet , po distancohen nga propozimi duke thënë se nuk është propozim i tyre për të vazhduar pastaj me propozime tjera . Në këtë mënyrë çështjen e Kosovës e kanë shndërruar në një striptiz shou , në afate të caktuara e heqin ndonjë pikë të propozimit duke e lënë për fund lakuriqësinë që , në asnjë mënyrë nuk do të jetë i mirë për Kosovën duke e futur statusin e saj në një çark të mbyllur . Gjermania që ka investuar miliarda e miliarda euro në ekonominë e Serbisë . që këto investime kanë regjeneruar midis 70.000 – 100.000 vende pune pune në Serbi dhe që këmbimi tregtar matet me miliarda euro gjatë një viti në ndërkohë që Kosovën e trajton si rast social , vështirë që të jetë një propozues i besueshëm dhe i drejtë kurse Franca tradicionalisht ka menduar dhe vepruar serbisht. Albin Kurti , një kryeminister me 51 % përkrahje problemin kryesor e ka pasur si të sillet me karshillëk me Edi Ramën dhe , në këtë kontekst , duke e kundërshtuar Ballkanin e Hapur po del të jetë fanatikisht i dhënë pas Procesit të Berlinit që vetëm me amballazhim dallon nga Ballkani i Hapur. Kape njërin , mëshoji tjetrës. Që nga koha e kancelares Merkel , Kosova asnjëherë nuk ia ka parë hajrin Gjermanisë madje kancelarja , tash e pensionuar as që takohej me udhëheqësit kosovarë . Takohej me ushtarët gjermanë të KFOR-it për të vazhduar për Beograd në përqafim politik dhe ekonomik të Aleksandar Vuçiqit. Loja e Albinit në pokerin ballkanik vetëm me një kartë , ate të Sholcit është humbje e pashmangshme aq më parë që asnjëherë nuk ka pasur ekip më jodashamirës ndaj Kosovës se që ka tani , mashtruesit ordinerë , Borrell dhe Lajçak , që po e zbatojnë një propozim franko – gjermano – serb që ka për qëllim shmangien me çdo kusht njohjen reciproke e që është parakushti dhe kushti kryesor për një marrëveshje të qëndrueshme si dhe ndarjen pakthyeshëm të dhenve dhe dhive me Serbinë.
Një krahasim midis suprimimit të autonomisë dhe mohimit të njohjes reciproke : Në fund të viteve të 80 –ta , Kosova e humbi një autonomi që e kishte dhe që në një mënyrë e përafronte me statusin e republikave tjera . Ish – Jugosllavia hyri në rrugën e shkatërrimit të pashmangshëm për faktin se shqiptarët , ajo masa kritike dhe atdhetare nuk pajtohej me këtë autonomi kurse Sllovenia dhe Kroacia haptasi donin të pavarësoheshin gjë që edhe e bënë. Kosova mbeti në mëshirën e Serbisë dhe pjesës serbe të ish – Jugosllavisë dhe bashkëpunëtorëve të saj , rrogëtarë të bindur dhe të devotshëm që flisnin shqip e që ishin pjesë e strukturave komuniste të asaj kohe , profesorë në Universitetin e Prishtinës , gazetarë dhe diplomatë sikur që zagarët e sigurimit serb që , për fat të keq flisnin shqip , shquheshin si dhunuesit më të mëdhenj të të gjithë atyre që për synim e kishin lirinë , çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Marrjes së autonomisë i parapriu një fushatë “ vetëdijësimi “ të intelektualve shqiptarë , të disa gazetarëve dhe filozofëve , politikanëve lokalë , atyre që lehnin në diplomaci në gjuhën serbe e që , kinse ishin shqiptarë se : “ me ndryshimet kushtetusese Kosova , jo që nuk humbë asgjë por vetëm sa përfiton ….”. Ky ekip i horrave shetitës shkonin nga vendi në vend për të bindur që të mos kundërshtohen këto ndryshime kushtetuese sikur edhe për të folur kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar që ka për synim shkatërrimin e Jugosllavisë , si vend ku jetonin të vëllazëruar dhe të bashkuar kombet dhe kombësitë jugosllave . Ky ekip i horrave shetitës kërkonin që pamëshirshëm të dënohen këta rrënues të socializmit vetqeverisës në kohën kur Kuptimi dhe Përmbajtja e Luftës për Liri të shqiptarëve , Bacë Adem Demaçi kishte hyrë në vitin e 29 –të mbajtjes së dënimit në llogoret e përqëndrimit të ish – Jugosllavisë , në kohën kur në Kosovë , Maqedoni , Mal të Zi dhe viset ku jetonin dhe punonin shqiptarët , qindra dhe mijëra shqiptarë dënoheshim me dënime të larta , torturoheshin dhe vriteshin në burgjet jugosllave . Po në këtë kohë dhjetra e dhjetra ushtarë shqiptarë që dërgoheshin dhunshëm në ushtrinë jugosllave ktheheshin të vrarë në arkivole të mbyllura hermetikisht sikur që dhjetra e dhjetra të tjerë dënoheshin nga gjykatat ushtarake me dënime shumë të larta në procese të montuara politike. Në atë kohë nuk kishte stacion policor , qendër e paraburgimit apo burg në Jugosllavi e që shumica e të burgosurve të mos ishin shqiptarë. Ushtria e Lavdishme Çlirimtare e Kosovës , me një luftë të jashtëzakonshme ,e përkrahur edhe nga ndërkombëtarët e çliroi Kosovën kurse në vitin 2008 u shpallë pavarësia e Kosovës . Qysh në Rambuje , francezët vendosën apo e imponuan ndarjen e Mitrovicës duke vendosur një postbllok mbi urën e lumit Ibër kurse në shkurt tëp vitit 2000 , Rojat e Urës dhe paramilitarët tjerë , të papenguar nga xhandarmeria franceze vranë 11 shqiptarë dhe dhunshëm u dëbuan mbi 13.000 shqiptarët të cilët kurrë nuk u lejuan të kthehen në pronat e tyre duke krijuar një situatë krejt tjetër etnike që sot po e përdorin , edhe serbët ,edhe ndërkombëtarët si shantazh ndaj Kosovës. Kur u shpallë pavarësia e Kosovës të gjithë policet serbë e lëshuan vendin e punës për t’u kthyer pas një viti sikur që shumica e Rojave të Urës dhe paramilitarët u “ integruan “ në ministri të ndryshme ku merrnin rroga pa e bërë edhe as një minutë punë të vetme. Serbët shantazhin përmes protestave dhe bllokimit të rrugëve e shndërruan në mënyrë veprimi me qëllim të realizimit të projekteve politike të Serbisë. Pa vendimit të qeverisë së Kosovës për zëvendësim të targave ilegale , vendim krejtësisht në përputhje me ligjin , serbët i lëshuan të gjitha institucionet e që ky veprim ishte mirë i planifikuar nga Serbia. Tash , për kthim në institucione kërkojnë anulimin e vendimit për targa dhe formimin e Zajebnices . Për këtë e kanë përkrahjen e plotë të ndërkombëtarëve dhe presioni mbi qeverinë e Kosovës po rritet shumë e më shumë. A do t’i bëjë ballë qeveria e Kosovës këtij presioni ? Me gjasë dhe me siguri të madhe e them se jo . Vetëm do të kërkohet një dalje arsyetuese për qeverinë e Kosovës që të mos konsiderohet si humbëse absolute . Dhe , sigurisht se do të gjindet kjo dalje . Për targa qeveria e Kosovës do të thirret në kërkesën ultimative të SHBA –ve dhe BE –së për një shtyerje të pakushtëzuar të ndërrimit të targave ilegale sikur që mund të vazhdojë duke mos shqiptuar gjoba. Realisht , për këtë e ka edhe përkrahjen e opozitës në Kosovëe cila është shumë këmbëngulëse që të përfillet kërkesa e ndërkombëtarëve prandaj qeveria del nga kjo situatë e pacenuar kurse Kurti del edhe më i fuqishëm politikisht. Nëse shkohet sipas këtij skenari. Kundërshtarët e shtyerjes së afatit për ndërrim të targave ilegale e që thirren në shtrirje të sovranitetit , nuk janë në gjendje ta shtrijnë as edhe një sofrabez si duhet e lëre më sovranitetit ! Këta janë të pafuqishëm ta bëjnë këtë kurse nuk janë në gjendje ta sakrifikojnë as edhe një makiato për shtrirje të sovranitetit. Targat janë problem minoir krahasuar me Zajebnicen dhe , jam shumë i sigurt se edhe nëse shtyhet afati për targat e ai sigurisht do të shtyhet , problemi nuk zgjidhet , vetëm peshatet për një kohë. Lëshimi ndaj kërkesave të Serbisë dhe atyre që e lëshuan punën krijon , veç ka krijuar një precedent të rrezikshëm sepse çdo kërkesë mund dhe do të kushtëzohet me largim nga puna , bllokim të rrugëve dhe të institucioneve . Kush e gjenë zgjidhjen në këtë rast , vërtet mund të llogaritet gjeni .
Duke pritur Godon – njohjen reciproke : Propozimi franko – gjerman nuk zgjidhë asgjë vetëm sa e përforcon një çark të mbyllur duke premtuar një dalje eventuale pas 10 vjetësh nëse në ndërkohë nuk do të ketë ndryshime që këtë çështje e lënë krejtësisht në harresë. Sikur që ishte krijuar një ekip hortrash që arsyetonin se : “ me ndryshimet kushtetuese Kosova jo që nuk humbë asgjë për se vetëm përfiton …” , edhe për propozimin franko – gjerman mbetjet politike dhe ideologjike të parardhësve të tyre arsyetojnë se : “ në propozimin franko – gjerman vërtet nuk thuhet shprehimisht se do të ketë njohje reciproke mirëpo nënkuptohet nga teksti se ka njohje faktike por jo edhe juridike …” Çfarë demagogë dhe të pandershëm ! Në propozimin franko – gjerman , nëse i referohemi atyre që kanë qarkulluar në media , njohja reciproke jo që nuk është në qendër por nuk është as në bisht ! Vetëm duan të fitojnë kohë duke krijuar një alibi që ky propozim të përkrahet për një afat 10 vjeçar e që , pastaj , Serbia ndoshta do ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Po nuk e pranon tash , pas 10 vjetëve as Serbia e askush nuk do ta pranojë këtë që po premtohet nga ndërkombëtarët e që , me aq zell po e përkrahin mashtruesit ordinerë , mercenarë të përjetshëm , tash të shndërruar në multimilionerë ! Që nga përfundimi i luftës , Serbia është imponuar si hisedare për çështje të brendshme të Kosovës dhe vetëm njohja reciproke tash , sepse pas 10 vjetëve do ta ketë fatin e Godos së Samuel Beketit , do të ishte zgjidhje e qëndrueshme dhe stabilizuese . Nëse lëshohet ky rast , asnjë problem nuk do të zgjidhet por vetëm do të konservohet duke e hapur konservën kur Serbia do të ketë interes . Opozita dhe qytetarët e Kosovës duhet ta përkrahin qeverinë e Kosovës për nënshkrim të një marrëveshjeje vetëm nëse juridikisht përfshihet njohja reciproke dhe çdo propozim tjetër duhet të refuzohet . Nëse njohja reciproke do të shtyhet për 10 vjet , për fillim , atëherë pavarësia e Kosovës do të ketë përmbajtjen e një shkrimi që e pata shkruar para vitit 2008 me titull “ Prej Horgoshit , në Dragash , pavrësia daj shta dash…” ose : ” Prej Horgoshit ( në Vojvodinë ) në Dragash ( Kosovë ) , pavarësia , jep sa të doni …”.
Nenad Çanaku dhe Vojisllav Shesheli : Nenad Çanaku ishte deputet në Kuvendin e Serbisë kurse Vojisllav Shesheli , përveç si kriminel lufte që e kishte profesionin kryesor , ishte bartës i shumë posteve në Serbi. Çanak , që njëhet si liberal dhe me qasje pozitive ( ndonëse kishte propozuar që me ushtri të zhbëhej pavarësia e Kosovës ) për Kosovën , në një intervistë tha se Vojisllav Sheshel , në operacionin “ Llazfer “ e paska joshur dhe bërë Albin Kurtin bashkëpunëtor të Serbisë gjatë kohës sa ishte në Burgun e Nishit . Unë kam menduar se Albini tërë kohën ka qenë në Burgun e Pozharevcit . Nuk më bëri aspak përshtypje Çanaku sa më bënë përshtypje reagimet që donin vërtetë që Albini të jetë spiun i Serbisë e që për atë kohë , sipas bindjes sime , më parë do të zhdukej bota , seqë Albini të bëhej spiun i Serbisë. E pamundur krejtësisht. Albini në atë kohë ishte trim , i vendosur dhe atdhetar dhe nuk e bënte asnjë kompromis në dëm të këtyre cilësimeve . Pastaj , vet Çanaku tha se kjo deklaratë e tij ishte thjeshtë sarkazmë , përkthyer në shqip , paska luajtur koçe ! Po një çështje e kam shumë të qartë , me sarkazëm apo pa te , Nenad Çanak e ka dëmtuar panevojshëm Albin Kurtin dhe , gjithashtu jam i sigurt se prapa kësaj sarkazme / luajtje koçesh është një qëllim ! Aspak i mirë !