Në serinë e opinioneve dhe paraqitjeve të mia për rastin pa dyshim të shumë komentuar dhe diskutuar nga perspektiva të ndryshme, “Klan Kosova”, po e nisë me pak fjalë për dhe rreth Gjykatës Komerciale.
Ishte viti 2018, kur filluan diskutimet e para serioze për nevojën dhe domosdoshmërinë e themelimit të një mekanizmi gjyqësor, si adresë e vetme për bizneset, rekomandime këto që patën dalë nga procesi i Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, proces i cili është vlerësuar pa asnjë dyshim si nga proceset më të mira që është bërë në fushën e drejtësisë.
Si zakonisht kishte zëra skeptik, megjithatë, pas një punë të gjatë, pas analizës së çështjes, përmes dokumentit konceptual dhe projektligjit, megjithëse procesi zgjati shumë, u bë punë e madhe, gjatë mandatit të tri qeverive, u finalizua në mandatin e qeverisë aktuale. Madje për këtë ligj, pati dedikim të veçantë Kryeministri aktual.
Pra, falë vullnetit politik të tri qeverive dhe mbështetjes së jashtëzakonshme të Programit për Drejtësie Komerciale të USAID-it, ky proces u jetësua. U themelua Gjykata Komerciale, si adresë e vetme, e ndarë në dy nivele (themelore dhe të apelit), ku palë në procedurë janë bizneset, me çka doli të jete storie suksesi.
Rasti “Klan Kosova” Sh.p.k, vendimi për masën e përkohshme dhe shtyrjen e ekzekutimit të vendimit
Vendimi i Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë (MINT), duke qenë vendim përfundimtar në procedurë administrative, si i tillë do të duhej zbatuar, d.m.th., pezullimi i certifikatës së biznesit për Klanin, e pastaj një veprim i tillë do të kishte efekt edhe tek procesi i licencës në Komisionin e Pavarur për Media, si organ i pavarur kushtetues. Sipas legjislacionit, një prej kushteve themelore për licencë operimi nga ana e transmetuesve audi – vizuel, është të qenit i regjistruar sipas ligjit në Republikën e Kosovës.
Pra, krahas padisë për anulimin e aktit administrativ, si të pa ligjshëm, duhej bërë dhe u bë edhe propozimi për shtyrje të ekzekutimit të vendimit.
Duke qenë se kushtet ligjore që duheshin plotësuar për aprovimin e një propozimi për masë të tillë, nuk kishte dyshim që plotësoheshin në mënyrë kumulative, të tria bashkë e të cilat janë: Ekzekutimi t’i sjellë paditësit dëm që vështirë do të riparohej, shtyrja të mos jetë në kundërshtim me interesin publik; dhe shtyrja të mos i sjellë dëm të madh palës kundërshtare, andaj pritej një vendim i tillë.
Çka pastaj?
Kjo nënkupton se bëhet shterja e ekzekutimit të vendimit të MINT-it për t’i pezulluar licencën dhe rrjedhimisht për pasojat e cekura më lartë, proceduralisht palët e pakënaqura mund ta shfrytëzojnë te drejtën e mjetit juridik, në afat prej 15 ditësh, nga dita kur e pranojnë vendimin, ankesa i dërgohet Dhomave të shkallës së dytë, përmes Dhomave të shkallës së parë të Gjykatës Komerciale. Vendimi ishte mirë i argumentuar, andaj është goxha problem, për të mos thënë e pamundur të sfidohet.
Por, ajo çka vlen të theksohet në këtë rast, është fakti se vendimi për aprovimin e propozimit për masë të përkohshme, shkon edhe më tutje, duke hedhur dritë me indikacione të qarta dhe shpresëdhënëse se fundi i procesit, do të jetë i njëjtë.
Ja përse. Në faqen 4, paragrafi i fundit i aktvendimit, ndër të tjera thekson se: “Gjykata gjatë shqyrtimit të shkresave të lëndës gjeti se paditësi (d.m.th. “Klan Kosova” Shpk) ka bërë përmirësimet e nevojshme në shoqëritë tregtare të regjistruara në Maqedoninë e Veriut ashtu që sipas Certifikatës së Biznesit nr. ser. 10076953 dhe informatat e biznesit të lëshuara me datë 21.06.2023 “Klan Kosova” Sh.p.k, është shoqëri tregtare e regjistruar në Kosovë me datë 26.11.2008,… vazhdon sqarimi i pranimit të përmirësimit të lëshimeve teknike, për të konstatuar se: “Meqenëse në rastin konkret sipas certifikatave të përshkruara më lartë, rezulton se paditësi (d.m.th. “Klan Kosova”, Sh.p.k.) ka bërë ndryshimet në regjistrat e biznesit në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë….”
Gjykata i ka pranuar dhe i ka konstatuar ndryshimet si të pranueshme, madje, ka kryer një pjesë bukur të madhe edhe të punës në lidhje me epilogun përfundimtar të çështjes. Pra, aprovim të propozimit të padisë, anulimin e aktit administrativ të MINT-it.
Për fund, një sqarim shtesë
Rasti “Klan Kosova” Sh.p.k, në esencë nuk ishte rast i përveçëm, kishte dhe ka të bëjë me parimet, me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, ka të bëjë me vlerat tona, kishte dhe ka të bëjë me lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes e të cilat pa dyshim janë vlerë dhe në pajtim me standardet më të avancuara ndërkombëtare.
Heqja e certifikatës së një biznesi, medie, rrjedhimisht mbyllja e saj, nuk duhet të jenë opsione, pa u shterur të gjitha mundësitë. Po, demokracia vdesë në errësirë, andaj nuk duhet të lejohet një gjë e tillë, me asnjë kusht dhe për asnjë çmim.
Neni 50 i Ligjit për Procedurën e përgjithshme administrative dhe Ligji për shoqëritë tregtare, neni 21, përcaktojnë se korrigjimi i lëshimeve/gabimeve mund të bëhet në çdo kohë (në këtë rast nga ARBK). Pra, korrigjimi i lëshimeve apo gabimeve eventuale, mund të bëhen qoftë me iniciativë të palëve, apo me angazhim të vet organeve shtetërore.
Për teknikalitete, administrata ka kompetencë dhe obligim, të zbatojë ligjin, të ndalojë çfarëdo pasaktësie apo përdorimi të emërtimeve fyese, kundër subjekteve të së drejtës ndërkombëtare, siç është Republika e Kosovës!