Një deklaratë e Teuta Pustina-Krasniqi, Prorektore për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Universitetin e Prishtinës, për atë se si studentët në UP duhet ta respektojnë kodin e veshjes – mesazh me specifikë për vajzat në universitet – është kuptuar dhe transmetuar si deklaratë skandaloze në disa media të Kosovës.
Ka pasur reagim jo të vogël publik duke argumentuar se deklarimi i prorektores ishte tejet i pavend, njofton Klan Kosova.
Por, Pustina-Krasniqi, përmes një shkrimi dërguar mediave ka reaguar duke thënë se deklarata e saj është nxjerrur nga konteksti duke u shkëputur vetëm një pjesë e saj.
Gjithashtu, ajo thotë se mesazhin për respektimin e kodit të veshjes e kishte për të gjithë brenda universitetit e jo për ndonjërën nga gjinitë.
“Sa i përket deklaratës, që për së pari e pashë mbrëmë, 24 mars 2018, në Insajder, ndërsa deklarata është e dhënë kohë më parë për Frontal T7, e kam obligim që të ju tregoj se ajo është nxjerrë nga konteksti duke u transmetuar vetëm një pjesë e saj, e jo në tërësi. Kur e them jo në tërësi, mendoj në atë se gjatë intervistës time të dhënë për Frontal T7, nuk kam përmendur vetëm gjininë femërore, por edhe atë mashkullore”, sqarohet prorektorja.
Në storien e televizionit 7, prorektorja thotë; Por, apeloj që mos të provokojnë, mos të vishen në mënyrë provokative, sepse ky është një efekt psikologjik që mund të ndikojë negativisht në rrethin ku ai student, ose ajo studente kryen ligjërata. Megjithatë nuk arsyetohet, pavarësisht dukjes së jashtme, nuk arsyetohet asnjë ngacmim. Por, i apeloj vajzat që të mos harrojnë që janë pjesë e një institucioni mjaft serioz, prandaj duhet ta respektojnë kodin e veshjes”.
Në sqarimin publik, Pustina-Krasniqi ka shkruar edhe për angazhimet e saj të ndryshme për mbrojtjne e grave dhe nismave të ngjashme.
“Ajo që e them me bindje të plotë, është se kam luftuar dhe do të vazhdoj të luftoj ashpër kundër të gjitha formave të ngacmimit seksual në UP, dhe jo vetëm, por njëkohësisht edhe në fuqizimin e rregullit të Kodit të Veshjes dhe atij të Sjelljes”, përfundon shkrimi i saj.