Jean-Claude Arnault, njeriu në qendër të skandalit për abuzim seksual dhe përfitime të jashtëligjshme financiare që e la sivjet letërsinë pa çmimin “Nobel”, është dënuar për dhunim. Në një verdikt unanim, Gjykata e Qarkut në Stokholm dënoi Arnault – bashkëshortin e anëtares së Akademisë Suedeze, që ndan çmimin më prestigjioz të letërsisë së botë – me dy vjet burgim, që është dënimi minimal, transmeton “Koha Ditore” raportimin e The Guardian.
Gjykatësja Gudrun Antemar ka thënë se ka pasur “dëshmi të mjaftueshme, shumica e të cilave deklarata gjatë gjykimit nga pjesa e dëmtuar dhe disa dëshmitarë” për të dënuar të pandehurin për një nga dy akuzat për dhunim për të cilat është akuzuar. Verdikti erdhi në fillim të javës së çmimeve “Nobel”, pak kohë pasi u nda ai për mjekësi.
Pas gjykimit me dyer të mbyllura, prokurorja publike, Christina Vogit, ka bërë thirrje që Arnault të dënohet me të paktën tre vjet burgim. Dënimi maksimal në Suedi për dhunim është gjashtë vjet.
Arnault, 72, një figurë me ndikim në skenën kulturore suedeze për shumë dekada u përball me akuzat se ai e ka detyruar një grua të kryente marrëdhënie seksuale në një apartament në Stokholm më 5 tetor të vitit 2011 dhe se e kishte dhunuar atë prapë më 2 dhjetor në të njëjtin apartament derisa ajo ishte në gjumë.
Në deklaratë, gjykata ka thënë se Arnault, i cili tërë kohën është krenuar se është “anëtari i 19-të” i akademisë është gjetur fajtor për akuzën e parë dhe i pafajshëm për të dytën. “Pala e dëmtuar është shpërblyer me kompensim”, shkruhet ndër të tjera në deklaratë.
Në muajin maj, Akademia – e cila u themelua nga Mbreti Gustav III në vitin 1786 dhe ende është nën patronazhin mbretëror – ka njoftuar se për shkak të pakësimit të anëtarëve dhe rënies së besimit publik, këtë vit nuk do të ndahet çmimi “Nobel” për letërsi. Vitin e ardhshëm do të shpallen dy laureatë.