Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos deklaroi se një numër jashtëzakonisht i madh i qytetarëve serbë demonstruan në mënyrë paqësore të shtunën në Beograd dhe theksoi se duhet të pasohet një marrëveshje për reformat e nevojshme për rrugën evropiane të Serbisë.
Ajo në rrjetin social X ka shkruar se një numër i paprecedentë i qytetarëve serbë kanë demonstruar në mënyrë paqësore, duke bërë thirrje për sundim të ligjit dhe institucione të forta e të përgjegjshme demokratike. Marta Kos falënderoi të gjithë ata që siguruan sigurinë e tyre.
“Një numër i paprecedentë i qytetarëve serbë demonstroi në mënyrë paqësore sot në Beograd, duke bërë thirrje për sundim të ligjit dhe institucione të forta dhe të përgjegjshme demokratike. Falenderoj të gjithë ata që siguruan sigurinë e tyre. Një marrëveshje për reformat, të cilat janë të nevojshme për rrugën e Serbisë në BE duhet të pasojë”, shkroi Marta Kos në X.
Protesta “15 për 15” u mbajt në Beograd të shtunën, e thirrur nga studentët që kanë bllokuar fakultetet në katër universitete në të gjithë Serbinë për tre muaj e gjysmë dhe kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 15 personave kur u shemb tenda e stacionit të trenit në Novi Sad më 1 nëntor të vitit të kaluar./euronews.al