Mbajtja e protestave në veri dhe paralajmërimi për bojkotim të institucioneve nga Lista Serbe, pas vendimit të Qeverisë për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë, mund të sjellë tensione paralajmërojnë ekspertë e sigurisë, raporton Ekonomia Online.
Ndonëse e konsiderojnë si vendim të mirë dhe ruajtje të sovranitetit, mosmbajtjen e zgjedhjeve.
Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se tensionet përherë bëhen nga pala serbe për të arritur qëllime të caktuara.
Ibishi tha se serbët tashmë kanë caktuar qytete që do të mbajnë votimet në afërsi të Kosovës, duke kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të reagojë në këto raste dhe mos të fajësohet Kosova.
“Tensionet përherë bëhen nga pala serbe, këtë rast nga presidenti Vuçiq dhe ministri i Brendshëm i Serbisë Aleksandër Vulin. Qëllimi janë të caktuara që të tensionojnë situatën. Ata me qëllim nuk bënë një marrëveshje eventuale me Qeverinë e Kosovës duke injoruar subjektivitetin e Kosovës dhe Qeveria vendosi shumë mirë që nuk e akceptoi mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Mirëpo situata është duke u tensionuar në kuptimin e asaj që vetë Vuçiq duke ftuar përveç listës serbe që e ka çdo herë prezentë por edhe në rastet kur do të tensionojë situatën. Ata vetëm kanë caktuar qytete që do të mbajnë votimet në afërsi të Kosovës. Vuçiq paralajmëroi edhe prishjen e marrëveshjes së Brukselit lidhur me ato të arritura që janë bërë në aspektin e integrimit të serbëve në institucione”.
“Ai i ka ikë në kalimin kufitar në Kosovë kapjes nga policia dhe legalisht paraqitet në prezencë të kreut të lidershipit të Serbisë dhe mendoj që kjo do të ketë pasoja. Forcat e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës vlerësojnë situatën dhe konform asaj bënë prezencën e forcave atje. Në këtë drejtim është krejt në autoritetin e institucioneve të Kosovës edhe ata kot deklarohen se kinse po bëhet presion ndaj komuniteti serb. Ata kryejnë detyrat dhe ofrojnë siguri për qytetarët e Kosovës. Serbia ka paralajmëruar tensione. Kjo i shkon përshtati që të ngrisin tensione në aspektin e ftesës së ekstremistëve serb që artificialisht krijojnë situata të prishjes së rendit të qetësisë publike. Bashkësia ndërkombëtare duhet të reagojë në këto raste dhe të mos ia lë vetëm palës serbe. Shumë e padefinuar politika serbe, por edhe shumë ekstreme duke bashkëpunuar me Dodik”, tha ai.
Ish-komandat i FSK-së, Kadri Kastrati theksoi se lëvizjet e Njësisë Speciale e Policisë në drejtim të Mitrovicës së jugut duhet të jenë më të shpeshta nëse përshkallëzohet situata gjatë protestave.
Madje, Kastrati tha se Serbia nuk është ndaluar kurrë së provokuari Kosovën e qytetarët e saj.
Ai thotë se reagimi i shteteve të QUINT-it në favor të mbajtjes së zgjedhjeve është i panevojshëm, duke kërkuar reagimin e tyre për protesta e serbëve në veri, raporton EO.
“Në asnjë shtet në botë nuk organizohen zgjedhje qysh po donë Serbia t’i organizojë në Kosovë, andaj është i panevojshëm reagimi i shteteve të QUINT-it që të lejohet mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë”.
“Lëvizja e Policisë së Kosovës apo Njësisë Speciale të Policisë në drejtim të Mitrovicës së jugut është shumë normale sepse është një rutinë e tyre. Është mirë të jenë afër nëse përshkallëzohet situata gjatë protestave dhe unë nuk shoh ndonjë eskalim të situatës apo ndonjë veprim armiqësor të Serbisë në drejtim të Kosovës. Serbia nuk është ndaluar kurrë as para luftës as gjatë luftës as pas luftës së provokuari Kosovën e qytetarët e saj dhe nuk pres që ata të ndalen sepse që të gjithë ata që janë në pushtet janë njerëz të Millosheviqit. Këta janë njerëz që kanë pretendime territoriale në Kosovë dhe unë nuk pres ndonjë ndryshim”.
“Unë besoj që pas zgjedhjeve në serbi nëse fiton prapë kjo garniturë e politikanëve serb presioni i Evropës dhe ShBA-së do të ketë më i fuqishëm që të ecet drejt një marrëveshje përfundimtare me Kosovën dhe përcaktohen edhe vijat kufitare dhe çështjet që janë të pazgjidhura ndërmjet dy shteteve. Ne jemi shtet sovran. Zgjedhjet Serbia mund t’i mbajë në zyrën ndërlidhëse dhe serbët e Kosovës mund të shkojnë atje të votojnë. Por në asnjë shtet në botë nuk organizohen zgjedhje qysh po donë Serbia t’i organizojë në Kosovë. Dhe e shoh të panevojshëm reagimin e QUINT-it që Kosova është dashur t’i lejojë”, tha ai.