Sindikata e pavarur e Punëtorëve të KOSTT-it mbajti protestë para ndërtesës së KOSTT-it në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
U kërkua rritje e pagave, siç u tha, në këtë kohë të rritjes së vazhdueshme të kostos së jetesës.
Njëherësh, janë shtruar edhe një varg shqetësimesh të tyre në pankartat që mbanin në duar: për padrejtësitë dhe diskriminimet në KOSTT, për kompensimin e orëve, për konkurset e brendshme, përshkrimin e vendeve të punës etj.
Në protestë u rikujtua se kërkojnë nga menaxhmenti që të rishqyrtojë me urgjencë mundësinë për përmirësimin e mirëqenies së punëtorëve.
Kryetari i Sindikatës së KOSTT-it, Arben Pllana, tha se punëtorët kërkojnë rritje të merituar të pagave.
“Kemi kërkuar njohjen e rrezikshmërisë në përputhje me ligjin, por jemi përballur me heshtje dhe neglizhencë. Rreziku është real dhe duhet të kompensohet.
Një tjetër kërkesë është pagesa për punën jashtë orarit. Në vitin 2020 janë shpenzuar 200 mijë euro për një sistematizim që përfundoi pa sukses.
Nëse brenda një jave nuk ka reflektim nga ana e menaxhmentit, do të pasojnë protesta të vazhdueshme dhe grevë”, tha Pllana.
Edhe kryetari i Sindikatës së KEK-ut, Nexhat Llumnica, shtroi nevojën për ruajtjen e kuadrove në sistemin energjetik, njëherësh ftoi udhëheqjen e KOSTT-it për dialog me Sindikatën.
“Është e nevojshme dhe e domosdoshme që t’i ruajmë këto kuadro brenda sistemit energjetik. Jeni aseti kryesor i kësaj kompanie. Pa juve nuk mund të ketë energji. I bëjmë thirrje bordit të KOSTT-it të bisedojnë me Sindikatën dhe të negociojnë për ngritje të mirëqenies. E dimë që inflacioni ekziston. Ne do të vazhdojmë me protestë dhe grevë deri në realizimin e kërkesave që i kemi”, tha Llumnica.



