Bashkatdhetarë në Gjermani protestuan sot para përfaqësisë diplomatike të Republikës së Kosovës në Frankfurt/Main, ku shfaqen shqetësimin e tyre të thellë mbi rastin e humbjes së dhunshme të jetës të aktivistit, studentit dhe qytetarit të Republikës Astrit Dehari.
“Vdekja e dhunshme e aktivisti politik dhe humanistit Astrit Dehari në paraburgim është e papranueshme. Fakti që 17 vjet pas luftës së pari burgoset dhe pastaj vdes dikush për bindje e tija politike, e pasqyron më së miri se ku e ka kandisur ky pushtet vendlindjen tonë. Me vdekjen e Astritit ky pushtet është ndryshuar nga një pushtet autoritar, në një pushtet diktatorial e vrastar dhe, ne si të tillë nuk guxojmë ta tolerojmë më. Sepse secili nga ne mund të ishte në vend të Astritit.”, thuhet në komunikatën për medie nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Më fund të kësaj proteste, pos fjalimeve të mbajtura në gjuhën shqipe dhe gjermane, një përfaqësues yni i dorëzoi përfaqësuesit diplomatik të Republikës së Kosovës një shkresë me kërkesat tona, duke nënvizuar kërkesën për një hetim të pavarur ligjorë dhe për vënie para drejtësisë të përgjegjëseve të shtetit për këtë ngjarje të dhimbëshme për gjithë shoqërinë tonë, brenda dhe jashtë atdheut!”
Në fund protestuesit nënshkruajtën peticionin e iniciuar nga më se 100 OJQ, i cili ka filluar të nënshkruhet para dy ditëve në Kosovë, me moton:„Drejtësi për Astrit Deharin! Drejtësi për Kosovën!“