Gryka e Deçanit ishte pikëtakim i qytetarëve të kësaj ane të cilët u bënë bashkë sot për të shprehur pakënaqësinë e tyre në lidhje me vazhdimin e lejes së punës për ndërtimin e hidrocentraleve nga kompania “Kelkos Energy”në rrjedhën e lumit “Lumbardh” në Deçan.
Në këtë organizim morën pjesë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Vetëvendosje, Liburn Aliu e Xhelal Sfeçla si dhe zyrtarë të komunës së Deçanit, ndërkaq për mbikëqyrjen dhe mbarëvajtjen e protestës u përkujdes policia.
Në shenjë proteste për siç thonë ata ndërtimin pa kritere të hidrocentraleve këtu, qytetarët përveç pankartave me mbishkrimet si “Jetën e japim por lumin jo” dhe “Jo shkatërrimit”, kanë vendosur edhe kurora me lule që simbolizojnë varrosjen e Lumbardhit.
Po ashtu në mbështetje të banorëve të kësaj zone për, sipas tyre, degradimin e natyrës, erdhën edhe qytetarë nga Rugova e Pejës dhe nga fshatrat e Shtërpcës.