Para menaxhmentit të “Trepçës”, në Mitrovicë është protestuar në mbështetje të minatorëve që janë në grevë, raporton Ekonomia Online.
Minatorët që nga dita e martë janë future në grevë. Ata po kërkojnë realizim të pagave me kohë, shkarkim të menaxhmentit si dhe sigurim shëndetësor. Tre minatorë është raportuar se kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Arsim Musa, organizator i kësaj proteste, tha se minatorët punojnë në kushte të vështira dhe se Qeveria duhet që të plotësojë kërkesat elementar të tyre. Ai madje ka treguar se vet ka qenë praktikant në këtë ndërmarrje dhe se nuk i janë paguar 300 euro.
“Ata punojnë në kushte të vështira. Për këto kërkesa ne kemi dal që t’i përkrahim. Shpresojmë që Qeveria e Kosovës t’i plotësoj kushtet elementare të tyre”.
“Unë kom pas familjarë që kanë punua e tash janë pensionuar. Unë vet kam qenë praktikant aty, edhe mua më kanë mbetur 300 euro borxh. Ne kemi dal veç se me i përkrahur minatorët”.
Maliq Suma, tha se ka punuar në “Trepçë” që nga 1973 dhe tash është ne pension. Ai tha se kushtet e minatorëve janë të tmerrshme.
“Kam qenë minatorë që prej 1973, tash jam në pension, para meje kanë punuar stërgjyshi katragjyshi. Kushtet në minierë janë të tmerrshme”.
Ferki Tubella, tha asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që mos të parin pagat me kohë, pasi edhe vet ka qenë pjesë e ndërmarrjes.
Përderisa shtoi se tash në minierë i punon djali, i cili tha se është në kredi ngase nuk e merr rrogën më kohë pothuajse kurrë.
“I bëjë thirrje Ministrisë së Ekonomisë, që këtë problem të mos e zgjasin me minatorët. Qe sa kohë rrogat nuk i marrin me rregull, qysh i kemi marrë ne përpara”.
“Unë kom punuar në minierë si sigurim, po kurrë si sot që rrogat mos me i marr nuk ka pas. Unë e kom djalin në minierë, është pjesë e grevistëve. Djali im është në kredit. Kushtet po i përballojmë qysh po mundemi. Ja kemi dhënë votoën, e kurrkush s’po interesohet”.
Ndërmarrja “Trepça” për muajin shtator iu ka mbetur borxh minatorëve më shumë se gjysmën e pagës bazë.