Protestohet për heqjen e Ligjit për Punën nga Kalendari Legjislativ – “Gratë po diskriminohen në punësim”

Prishtinë | 16 Sht 2024 | 18:57 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Forumi Ekonomik i Grave të hënën ka mbajtur protestë paqësore, pas vendimit për të hequr Ligjin për Punën nga Kalendari Legjislativ, raporton Ekonomia Online.

Drejtoresha e Iniciativës Kosovare për Stabilitet, Brikena Hoxha, ka thënë se ky ligj, i cili është në proces ndryshimi që nga viti 2018, adreson një nga çështjet më themelore të mirëqenies dhe barazisë në Kosovë.

Sipas Hoxhës, Ligji aktual i punës ndikon drejtpërdrejt në përjashtimin e grave nga fuqia punëtore për shkak të diskriminimit gjinor në punësim, pasi punëdhënësit shmangin përgjegjësinë e pagesës së pushimit të lehonisë.

“Ne shprehim shqetësimin tonë të thellë për faktin se Qeveria e Kosovës e ka hequr Ligjin për Punën nga Kalendari Legjislativ për vitin 2024. Pavarësisht reagimeve të shumta nga grupe të ndryshme të interesit, përfshirë Forumin Ekonomik të Grave, në letrën e dërguar tek ju “Thirrje urgjente për veprim” të datës 15 shkurt 2024, ende nuk kemi pranuar përgjigje nga ana juaj dhe nuk keni ndërmarrë asnjë hap për këtë ligj tejet të rëndësishëm. Ky ligj është në proces ndryshimi që nga viti 2018, pra për pothuajse tetë vite”.

“Gjatë fushatës elektorale, ju keni deklaruar se mirëqenia sociale do të ishte një ndër prioritetet kryesore, por, ende nuk keni adresuar asnjë nga çështjet më themelore të mirëqenies dhe barazisë në Kosovë. Kësisoj, po i zhgënjeni qytetarët tuaj, veçanërisht gratë. Ju rikujtojmë edhe një herë faktet: Vetëm 2 në 10 gra janë të punësuara dhe ky realitet ka ndryshuar shumë pak me kalimin e kohës. Për shkak të mangësive në mbrojtjen e punës, gratë vazhdojnë të kryejnë punë joformale në shtëpi, pa pagesë, pa njohje, pa mbrojtje të të drejtave të punës ose pa pensione, gjë që ndikon në varfërinë e tyre më vonë në jetë”.

Ajo ka thënë se ky ligj kontribuon drejtpërdrejt në pabarazinë gjinore dhe në shkeljen e të drejtave të grave. Ndërkohë, burrat nuk kanë të drejta të barabarta për të kaluar kohë me fëmijët e tyre. Ky ligj diskriminon drejtpërdrejt baballarët, duke shkelur të drejtat e tyre të barabarta sipas Ligjit për Barazi Gjinore, është shprehur ajo.

“Ligji aktual i punës ndikon drejtpërdrejt në përjashtimin e grave nga fuqia punëtore për shkak të diskriminimit gjinor në punësim, pasi punëdhënësit shmangin përgjegjësinë e pagesës së pushimit të lehonisë. Shumë nga ato pak gra që janë të punësuara kanë kontrata afatshkurtra dhe/ose humbasin punën kur mbeten shtatzënë, pasi punëdhënësit shmangin pagesën për pushimin e lehonisë. Kjo paraqet një rrezik për mirëqenien e tyre dhe të fëmijëve të tyre të porsalindur. Pjesëmarrja e ulët e grave në tregun e punës ka pasoja të rënda për ekonominë e Kosovës dhe për rritjen e saj ekonomike, por më e rëndësishmja, për autonominë, pavarësinë dhe mirëqenien e grave”.

“Prandaj, ky ligj kontribuon drejtpërdrejt në pabarazinë gjinore dhe në shkeljen e të drejtave të grave. Ndërkohë, burrat nuk kanë të drejta të barabarta për të kaluar kohë me fëmijët e tyre. Ky ligj diskriminon drejtpërdrejt baballarët, duke shkelur të drejtat e tyre të barabarta sipas Ligjit për Barazi Gjinore. Role më të barabarta gjinore në shtëpi ndërmjet grave dhe burrave mund të kontribuojnë gjithashtu në pjesëmarrje më barabartë në punë dhe në jetën publike. Kosova është një nga të paktat shtete në rajon dhe Evropë ku qeveria nuk financon pushimin e lehonisë, e lëre më pushimin e atësisë dhe atë prindëror. Është e turpshme. Kosova ende nuk e ka harmonizuar Ligjin e Punës me Direktivën e BE-së për Balancën midis Punës dhe Jetës, dhe ende nuk i mbron të drejtat e kujdestarëve,të vetëpunësuarve dhe shumë të tjerëve. Shtyrja e miratimit të amendamenteve të këtij ligji të rëndësishëm nënkupton se Qeveria e Kosovës po mbështet drejtpërdrejt vazhdimin e shkeljeve të të drejtave të grave dhe burrave” është shprehur Hoxha.

Të ngjashme