Grupi i qytetarëve “Protestoj” ka zhvilluar sot një aksion simbolik para Prokurorisë së Shtetit. Qytetarët kanë vënë mbishkrime, duke ia “treguar” kryeprokurorit Aleksandër Lumezi veprat penale të kryera nga Adem Grabovci, që dëshmohen nga përgjimet e publikuara së fundi.
“Cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, Ushtrimi i ndikimit”, janë tri nga veprat që grupi i qytetarëve #Protestoj thonë t`i kenë identifikuar, së bashku me juristë.
Vlera Gjakova, njëra nga organizatoret e aksionit, tha se duan t`ia rikujtojnë kryeprokurorit Aleksandër Lumezi çka thuhet në Kodin Penal për parashkrimin e lëndëve.
“Në bazë të neneve 106 dhe 107 ia rikujtojmë Lumezit se afati i parashkrimit fillon të jetë nga ajo kohë kur identifikohet vepra penale”, tha ajo.
Gjakova tha se megjithë përgjimet që shpërfaqin skandale, organet e drejtësisë vazhdojnë të heshtin.
“Ne mendojmë se të gjitha institucionet janë të ngulfatura në krime, duke filluar nga Zyra e Prokurorit të Shtetit, ku qytetarët kërkojnë përgjegjësi për veprat penale të kryera nga Adem Grabovci”, tha ajo.
Kjo është dita e katërt që një grup qytetarësh po protestojnë pas publikimit të përgjimeve, të ashtuquajtura “Dosja e Shefave” nga Gazeta Insajder, ku protagonist është shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.
Ky grupim i qytetarëve kanë paralajmëruar se protesta e radhës do të mbahet ditën e hënë.