Dhjetëra biznese që merren me shitjen e cigareve në Kosovë kanë protestuar të hënën para objektit të Administratës Tatimore në shenjë pakënaqësie për trajtimin e kësaj kategorie, raporton Ekonomia Online.
Sipas tyre, kontrollet e ATK-së po i detyrojnë edhe t’i mbyllin bizneset, andaj kërkojnë trajtim të dinjitetshëm.
Lulzim Kastrati, përfaqësues i protestuesve tha se arsyeja e protestës është trajtimi që po i bën ky institucion këtyre bizneseve.
“Sot kemi dalë për të shprehur pakënaqësitë tona lidhur me trajtimin që është duke na u bërë nga ana e ATK-së me rastin e kontrolleve që janë zhvilluar dhe që janë duke u zhvilluar. Po ashtu kemi dalë që të shprehim shqetësimet që mos të përsëritet edhe njëherë viti 2015-16, ku ATK-ja në të njëjtën formë i kishte rritur çmimet dhe për të gjitha rastet në atë kohë Gjykata kishte vendosur në favorin tonë, vetëm se neve në atë kohë na ka pamundësuar funksionimin, ku disa prej neve jemi detyruar që t’i mbyllim bizneset”, tha Kastrati.
“Ne jemi pronarë të bizneseve që ushtrojmë veprimtarinë nëpër qytete të ndryshme të Kosovës dhe normalisht mund të kemi dallim në çmim dhe kjo varet krejt prej mënyrës së funksionimit të biznesit dhe aq më sa don secili që të ketë fitim. Të gjitha shitjet që janë bërë nga ana jonë janë deklaruar ashtu siç i kemi shitur me fatura dhe me kupon fiskal. Përderisa ne lëshojmë kupon fiskal, ku dihet se ceket çmimi, atëherë si mundet një qytetar të blejë një mall me çmim më të lartë se sa e ka të cekur në kupon fiskal. Mënyra e vlerës së hapur të tregut duke i rritur çmimet nga ana e ATK-së, është e padrejtë nëse ATK-ja dëshiron që të merr vlerë të hapur të tregut atëherë, le t’i marrë çmimet e të gjitha bizneseve në tërë territorin e Kosovës dhe ta nxjerrë një mesatare, e jo vetëm të marr çmimet e tri bizneseve që kanë çmimet më të larta dhe të na ngarkojë me tatim të gjithëve njëjtë. Ekonomia e lirë e tregut të Kosovës është e garantuar me Kushtetuan e Republikës së Kosovës, me nenin 10 ku thotë ‘ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë është bazë e rregullimit ekonomik të RKS”, u shpreh ai.
Ai deklaroi se nëse nuk merren ndërmerren diçka, do të thërrasin protestë më masive.
“Ne kemi qenë tri herë të drejtori ka thënë mos u shqetësoni se na kemi me vepru në anën e juaj, por këta përsëri e kanë bërë me atë të vetën, i kanë marrë çmimet shumë të shtrenjta, më shumë së që shiten. Ne cigaret i shesim aq sa i deklarojmë, as më lirë, as më shtrenjtë. Ne jemi shumë të shqetësuar për këtë punë, shpresojmë të kenë mirëkuptim, ta rregullojnë këtë punë ë të mos na e humbin kohën, për biznes të punojmë shlirë, ose le ta qesin një vendim qysh duhet, nuk kemi kurrgjë kundër tyre, na jemi me punu normal, qysh duhet me punu. Ne jemi tu punu sipas ligjit, ne asgjë s’jemi duke shkuar kundër ligjit. Priten edhe protesta të tjera në të ardhmen, do të rritët edhe më shume numri i protestuesve në te ardhmen, por shpresojmë qe do të kenë mirëkuptim dhe nuk do t’i aplikojnë këto çmime, dhe ta rregullojnë si duhet”,
E një tjetër shitës Zenel Isufi, deklaroi se qasja e ATK-së është e padrejtë dhe në dëm të bizneseve.
“Të gjithë jemi të shqetësuar, shkak është ngritja e çmimit jashtë reales, çdo shitje bëhet me kupon fiskal, është e caktuar. Ne kërkojmë vetëm realitetin, asgjë tjetër. Është e padrejtë, është e dëmshme, do të mbyllën bizneset. Asnjë biznes nuk mund të funksionojë me një çmim qe nuk mund ta përballojë. Jemi kundër kësaj, jemi të shqetësuar si biznes. Çmimi ka shku mbi një euro, ne nuk i bëjmë llogaritë me paqetë, i bëjmë më boksa. Kemi bërë kërkesë edhe te Ministri i Financave shpejt do të shkojmë edhe aty edhe Kryeministri kur të vjen prej Francës, do ta zgjerojmë deri në fund, edhe pse e dimë qe kemi me fitu. I kemi raportet që kemi fitu, i kemi krejt, e dijnë edhe këta vetë që kemi fitu, krejt i kanë”, u shpreh ai.