Ndryshimi i Ligjit për Lotarinë e Kosovës si dhe mosmarrja e pagave për 60 punëtorë kanë bërë që serish para Qeverisë të ketë protestë. Punëtorët e Lotarisë po kërkojnë që të drejtat e tyre të kamotshme të plotësohen nga Qeveria, raporton Ekonomia Online.
Mbi 60 punëtorë të Lotarisë së Kosovës kanë protestuar edhe këtë të mërkure para objektit të Qeverisë së Kosovës. Punëtorët po kërkojnë ndryshimin e Ligjit për Lotarinë e Kosovës dhe marrjen e pagave. Ata po ashtu kërkuan që të rikthehen në punë meqë tash e sa kohë janë të papunë.
Me pankarta në duar “Mbajeni premtimin miratojeni ligjin”, “Pranuar dhe certifikuar ma Evropë anashkaluar na Kosovë”, “Qeveria pronare punëtorët më rrugë”, “Qeveria të merr përsipër pagat”, “Edhe fëmijë tanë duan jetën”, ata po vazhdojnë të qëndrojnë pranë Qeverisë së Kosovës.
Shefi i Sindikatës së Lotarisë së Kosovës, Shkumbin Goçi, kërkoi që të miratohet ligji dhe të kthehen në vendin e punës. Sipas tij, kërkesat e tyre vazhdimisht janë injoruar nga Qeveria Kurti.
“Arsyet janë të njëjta sikur herëve të tjera. Ne jemi dal me i kërku të drejtat tona sa i përket ligjit dhe përmbushjes së obligimeve që i ka Qeveria për e pagat punëtorëve të Lotarisë së Kosovës këto, janë tonat”, tha ai, raporton EO.
Ai kërkoi që të miratohet ligji dhe të kthehen në vendin e punës. “Mu miratu ligji e mu kthy në vende të punës”.
“Kemi vazhdu kërkesa po deri sot s’kemi marrë përgjigje as për takim as asgjë është për keqardhje. Ne do të përsëritim protesta nuk do të tërhiqemi prej kërkesave tona. Janë të drejtat tona që po na mohojnë vendet e punës kem pas premtime prej zyrtarëve qeveritar para se me ardhë në pushtet. Na kanë përkrah mbështet e suport t’u na dhanë fjalë të mëdha, na do t’ju ndihmojmë na jemi shpresa juaj. Kurse rrash 1 vjet e gjysmë nuk mundemi me taku asnjë takim me ta. Na injorojnë në formën më të keqe”.
“Kemi pasur kërkesa përmes emalit në mënyrë fizike, kem tentu përmes telefonave s’kemi asnjë përgjigje”.