Protestojnë sërish punonjësit e strukturave paralele në veri

Prishtinë | 03 Sht 2024 | 09:07 | Nga Ekonomia Online

Punëtorët e komunës paralele në Mitrovicë të Veriut kanë protestuar edhe të martën para dyerve të objektit që tashmë është nën kontroll të autoriteteve të Kosovës.

Është dita e dytë që këta punëtorë kanë tentuar të kthehen në zyra, por nuk janë lejuar nga Policia e Kosovës.

Siç ka raportuar mediumi lokal “kosovo-online.com”, këta punëtorë kanë thënë se më nuk do të largohen nga hapësira. Ata kanë deklaruar se puna për ta është burim i jetesës dhe se situata është “shumë e vështirë për të mbijetuar”.

Më 30 gusht, Policia e Kosovës, nën dyshimin për lëshim të dokumenteve të falsifikuara, ka mbyllur 5 objekte të komunave paralele në katër komunat veriore. Të premten nga Policia e Kosovës u mbyllën zyra e Qarkut për Mitrovicë si dhe katër komunat paralele në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin-Potok e Leposaviq, të gjithë në kuadër të sistemit të Serbisë.

Ky veprim është dënuar nga faktori ndërkombëtar, duke e quajtur operacionin si “të njëanshëm dhe të pakoordinuar”.

Më herët, janë mbyllur edhe zyra të tjera të komunave ilegale në qytete anembanë Kosovës.

Të ngjashme