Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës, ka protestuar për të shprehur pakënaqësitë e tyre, duke marshuar nga sheshi “Zahir Pajaziti” e deri te Qeveria e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Sindikalistët kanë protestuar fillimisht para objektit të KEK-ut në heshtje përmes pankartave me mbishkrime si “Nuk lejomë të shitemi tutje”, “Ne duam të kthehemi, KEK-u ka interes pse nuk jemi aty”, “Ne jemi të huazuar dhe jo të privatizuar”, “Kryeministër ndalo padrejtësitë ndaj punëtorëve të shërbimit të sigurimit fizik të KEK-ut”.
Marshimi ka nisur me fishkëllima e me thirrje “hajnat, hajnat…”.
Kryetari i Sindikatës, Bekë Gashi ka thënë se kërkesat e këtyre punëtorëve janë legjitime dhe duhet të realizohen.
Ndërsa nënkryetari i Sindikatës, Nexhat Llumnica tha se punëtorët e sigurimit fizik të KEK-ut tash e tre vite kanë mbetur rrugëve.
Sipas Llumnicës kthimi i punëtorëve nuk po ndodhë për shkak të menaxhmentit të KEK-ut i cili është i kapur nga politika.
“Jemi këtu për një të drejtë të kahershme tonën. Në vazhdimësi këta punëtorë kanë protestuar e kanë hasë në vesh të shurdhër. Kjo Qeveri që tani është në pozitë dikur në opozitë na ka thënë se kemi të drejtë”.
“Pas 3 vjetësh punëtorët është dashur të kthehen në KEK po akoma nuk po ndodhë për arsye të thjeshta grupore të menaxhmentit të kapura nga politika”.
Ai poashtu ka thënën se menaxhmenti i tanishëm nuk po punon për gjetjen e një komisioni për të na kthyer në KEK. Tutje ai ka bërë thirrje Qeverisë që të intervenojë në menaxhmentin e KEK-ut.
“Kjo është në interes të KEK-ut”, ka thënë ai.
Madje ai shtoi se është e pakuptimtë që një kompani si KEK të funksionoj pa sigurim fizik, raporton EO.
“Është obigative që të gjithë punëmarrësit e KEK-ut të marrin pjesë në këtë protestë. Është mirë që ju të gjithë punëtorët e sigurimit jeni këtu”.
“Nuk e di se me kë ka me siguruar KEK-u kompaninë e tij. Të kthehet ky departament aty ku e ka vendin”, është shprehur ai.
Kurse Rashit Gashi sekretar i sindikatës së KEK-ut, tha se presin me vite një vendim të drejtë nga gjykata.
“Proceset që kanë ndodhë në KEK kanë qenë të padrejta ku njësite brenda kësaj kompanie u huazuan si në rastin e njësisë së sigurimit”.
“Sot bredhim rrugëve dhe presim një vendim nga gjykata në të mirë të punëtorëve. Sot ju kërkoni një të drejtë tuajën legjitime deri ta arrini të drejtën tuaj”.