Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim dhe Admovere kanë mbajtur një protestë tek Rektorati i Universitetit të Prishtinës.
Në shenjë pakënaqësie të pranishmit në protestë kanë hedhur baltë në muret e këtij institucioni.
Me këtë rast u tha se kjo është fytyra e vërtetë e Universitetit të Prishtinës.
Shkëlzen Gashi nga ADMOVERE tha ka kërkuar shkarkimin e Këshillit të Etikës së UP-së, që nuk kanë trajtuar rastet e profesorëve me plagjiaturë.
“Me 21 shtator 2018 ka publikuar një raport ku mes tjerash bëhet fjalë për plagjiaturat e stafit akademik të Universitetit të Prishtinës. 1 muaj pas publikimit rektori Marjan Dema ka kërkuar që të gjitha dëshmitë ti dërgojnë në instance përkatëse të UP-së duke u zotuar publikisht që do të filloj menjëherë procedurë në Këshillin e Etikës të UP-së. Pas dy jave kemi deponuar në Këshillin e Etikës dokumentacionin me dëshmi të plagjiaturës fillimisht për dy prestarët e dy ligjëruesve në UP, Mejdi Bektashi dhe Arsim Morina, si dy prej 16 rasteve më flagrante të publikuara”.
“Këshilli i Etikës ka hedhur poshtë dëshmitë tona të dy denoncimet tona. Këto dëshmi hodhën poshtë për shkak të procedurave dhe mungesë të kompetencës”.
Rron Gjinovci nga ORCA tha se i kanë dorëzuar Këshillit disa denoncime ndaj 8 profesorëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, të cilët, sipas tyre kanë publikuar punime shkencore në revista mashtruese.
“Me 8 tetor 2018 ORCA ka dorëzuar para Këshillit të Etikës të UP-së për 8 profesorë fakultetit të inxhinierisë mekanike. 8 profesorë kishin publikuar 7-19 punime secili brenda një periudhe 1 vjeçare e gjysmë. Këta 8 persona u avancuan përmes një grumbulli punimesh, të cilat përmbajnë plagjiaturë, gabime drejtshkrimore dhe gabime në gramatikë në gjuhën angleze. Revistat që ata kishin botuar këto punime ishin të indeksuar në platformën SCOPU-s. ORCA formoi dosjen masive ku dëshmohet se këta profesor kanë bërë plagjiaturë, dhe janë larguar nga listat. Me 8 maj 2019 i është dorëzuar Këshillit të Etikës i cili nuk përmendet në vendimin që na është dorëzuar ditë më parë”.
Ahmet Shala, Ramë Likaj, Azem Kyçyku, Mirlind Bruçi, Naser Lajqi, Nexhat Qehaja, Rexhep Selimaj, Xhevat Berisha, janë emrat e profesorëve që janë përmendur nga organizatat e arsimit, që sipas tyre kanë falsifikuar dhe kopjuar punimet e tyre, duke i publikuar në revista jo kredibile.
Pasi u shpërndanë protestuesit erdhi edhe policia e cila u njoftua nga rektorati.