PS mbledh Kongresin, nis pjesa e parë me pesë panele

Prishtinë | 09 Pri 2022 | 10:17 | Nga Ekonomia Online

Partia Socialiste mbledh sot kongresin, krejt ndryshe nga formati tradicional që është ndjekur prej vitesh.

Pjesa e parë e kongresit do të nisë në orën 09:30, ku do të  jenë pesë panele që do të zgjasin rreth dy orë dhe do të shtrihen në disa sheshe kryesore të Tiranës.

Përfaqësues të PS-së do të zhvillojnë takime me anëtarë dhe qytetarë mbi problematikat aktuale, ku pjesë e tryezave përkatëse do të jenë edhe ministrat e dikastereve përkatëse.

Në orën 12:00 nis faza e dytë e punimeve e cila do të hapet nga Sekretari i Përgjithshëm Damian Gjiknuri, për të vijuar me rezultatet e Këshillimit Kombëtar të paraqitura nga Elisa Spiropali, ndërsa një pjesë të rëndësishme do të marrin edhe propozimet për ndryshimet në statutin e PS-së.

Kongresi pritet që të vendosë ndërprerjen e mandatit për krerët aktualë të PS-së në degët e rretheve për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja, që do të mbahen në javët e para të majit.

Fjala e kryetarit Edi Rama është parashikuar të jetë rreth mesditës, ndërsa ministra dhe deputetë të ndryshëm janë përzgjedhur për të bërë analizën e punës së mazhorancës në këtë mandat të tretë.

Të ngjashme