Bardh Ahmeti, zyrtar për medie në PSD, ka konfirmuar për Ekonomia Online se kryetari i këtij subjekti, Dardan Molliqaj, dhe 5 aktivistë të tjerë po mbahen në polici.
Ahmeti tha se protesta kundër kryetares së Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ishte fillimisht e qetë. Por, sipas tij, me urdhër nga lart, nga kryeministri Albin Kurti, i cili kaloi andej me eskortën e tij, nisi të përdorer dhunë dhe gaz lotsjellës.
“Deri tash, sa kemi informata, kemi 6 aktivistë të arrestuar, duke filluar prej kryetarit Dardan Molliqaj, pastaj Gzim Hyseni, Nol Nushi, Agron Kabashi, Gent Brahimi dhe Korab Korçaj”.
“Të lënduar a ka, nuk kemi shumë informata. Tashmë kanë shkuar dy aktivistë tanë në stacion policor me marrë informata më shumë”.
“Doli një reagim i KMDLNj-së, i cili tha se dhuna e Policisë ishte joproporcionale me aktivitetin tonë. Ajo që kemi bërë si aksion ka qenë tymues që përdoren edhe ë ambiente të brendshme prej tifozëve. Ka qenë mënyre e indinjatës sonë për ardhjen e kryetares së Dhomave të Specializuara”.
“Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe sprej, edhe ndaj gazetarëve të cilët ishin vetëm duke e filmuar atë moment”.
“Për neve është e qartë që ishte urdhër nga Policia e Kosovës. Edhe dje kur ka ardhur Ekaterina Trendafilova ka qenë tërë kohën në përcjellje të Policisë së Kosovës edhe kjo tregon që Qeveria e Kosovës po e përdor Policinë me kriju raporte më të mira me Gjykatën Speciale. Dmethënë kjo Qeveri është e nënshtruar në raport me Gjykatën Speciale, ndërkohë e kemi një kryeministër që thoshte ‘unë nuk e pranoj Gjykatën Speciale, as nuk i dorëzoj ushtarët e UÇK-së më atë Gjykatë’, ndërsa sot është bërë Avokati i tyre”.
“Derisa ishim duke arrestuar ne, kryeministri kaloi edhe e shikonte atë ngjarje me një indinjatë tepër të madhe. Për neve ishte befasi reagimi, po në anën tjetër e kuptuam që ishte urdhër nga lart… Deri në momentin ku filloi dhuna e Policisë gjithçka shkonte qetë, ndërkohë reagimi i tyre ishte tepër i madh me njësi elite. Kishte njësi elite që u filmuan duke e goditur një kameraman. Është dhunë tepër absurde, e pakuptueshme për ne”, ka theksuar Ahmeti.