PSD: Ikja si model politik i VV-së

Prishtinë | 15 Maj 2020 | 18:35 | Nga Ekonomia Online

Qeveria në detyrë Kurti po heziton që ndërtesën e saj ta ndriçojë me ngjyrat e komunitetit LGBTI, për nder të 17 majit, Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë.

Organizata nga komuniteti në fjalë ka kërkuar zyrtarisht që për 17 maj, pasnesër, kjo ndërtesë të ndriçohet me ngjyrat e ylberit, e të cilat i përfaqësojnë ndërkombëtarisht.

Megjithatë, duket se Qeveria në detyrë Kurti po heziton që ta bëj një gjë të tillë.

Për këtë ka reaguar edhe Partia Socialdemokrate.

Në një komunikatë për medie PSD-ja thotë se për gjashtë vite më radhë, dritat me ngjyrat e flamurit të komunitetit LGBTQI janë ndriçuar nga objekti i qeverisë si shenjë solidariteti ndaj padrejtësive që i ndodh këtij komunitetit në baza ditore e në mënyrë sistematike e kulturore.

“Sot, pas 6 viteve qeveri plotësisht të djathta, Vetëvendosje, një parti e supozuar si e majtë e progresive, dhe Kurti si udhëheqës i saj nuk po projekton flamurin e komunitetit LGBTQI mbi objektin e qeverisë. Bile, as nuk dolën në Paradën e Krenarisë që u mbajt sivjet. Përgjatë tërë kohës në krye të qeverisë, Kurti ka ikur nga tema të cilat nuk i përkthehen në vota. Si rrjedhojë, oportunizmi politik çdo herë rëndon më tepër në kurrizin e grupeve dhe komuniteteve të margjinalizuara”, vazhdon reagimi.

Ata vlerësojnë se një gjë e tillë ka vetëm një kuptim se Vetëvendosje nuk është as e majtë, as progresive e as liberale.

“Është parti që kap çka të mundet vetëm e vetëm për vota e asnjëherë për parime. Për t’i mbajtur anëtarët e saj homofobë nën ombrellën e vet, domethënë për hatër të tyre, Vetëvendosje e Kurti e hudhin poshtë një traditë që kishte nisur prej qeverive që as nuk pritej ta zbatonin”, thuhet në reagim.

Ata thonë se komuniteti LGBTQI+ nuk mund të mohohen dhe as përdhosen. “Ky komunitet është pjesë e esenciale e shoqërisë tonë dhe si e tillë ka të drejtë dhe na detyron të gjithëve, duke përfshirë qeverinë në detyrë, që t’i trajtojmë me dinjitet dhe kërkesat e tyre, qofshin edhe ato simbolike si shpërfaqja e flamurit në objektin e qeverisë, t’i plotësojmë pa kushte në mënyrë që të kontribuojmë në emancipimin e shoqërisë dhe të luftojmë homofobinë e paragjykimet e tmerrshme të cilat i mvishen këtij komuniteti”, ka vazhduar reagimi.

Të ngjashme