Anëtarët e Partisë Socialdemokrate po vazhdojnë të qëndrojnë tash e tri orë brenda hapësirave të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, duke kërkuar ta publikojnë vendimin e ZRrE-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast Molliqaj dhe anëtarët e tjerë kanë drejtuar pyetje të njëpasnjëshme ndaj ZRrE-së lidhur me çmimet e faturave, teksa e kanë quajtur mashtrues kryetarin e Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahun.
“Një vendim nuk hyn në fuqi deri sa të gjitha palët nuk informohen për përmbajtjen e vendimit. Sa është subvencionimi i Qeverisë, tregoni”, kanë qenë pyetjet e Molliqajt drejtuar Fejzullahut.
Nushi: Ku është vendimi?
Fejzullahu: Tash publikohet
Molliqaj: Sa është subvencionimi i Qeverisë deri në 800 kWh?
Fejzullahu Do ta bëjmë publik vendimin.
Molliqaj: Ti nëpër emisione po merr pjesë.
Kryetari i PSD-së e akuzoi kryesuesin e bordit të ZRRE-së se po manipulon në llogari të KEDS-it.
“Fakti që s’ke përgjigje, je tu i shërby KEDS-it”, tha ai. “Është marre”, shtoi Molliqaj.
Fejzullahu kërkoi që ata ta lirojnë hapësirën.
“Nëse kenii mundësi me na e liru hapësirën”, tha ai.
“Jo s’ka mundësi”, iu përgjigj Molliqaj. “Pse po del në emisione, a po del me e mbrojtë vendimin? Pse s’po jep informatë? Sa është subvencionimi?”, tha kryetari i PSD-së.
Ai i kërkoi Fejzullahut që të japë dorëheqje.
“Marre duhet me të ardhë. Jep dorëheqje dhe në rregull jemi. Je në siklet. Po të vjen marre”, tha Molliqaj.
“Në siklet? Asnjë fije. Prej teje a?”, iu përgjigj Fejzullahu, duke i thënë se mund ta apelojë vendimin.
“Na paguajmë pa e ditë sa na jep shteti dhe sa paguajmë ne. Po e presim vendimin”, tha Molliqaj.
Edhe kërkesa e Fejzullahut që përfaqësuesit e PSD-së të mos pengojnë, nuk gjeti mirëkuptim.
“Nëse bën mos me na pengu”, tha Fejzullahu.
“Ju jeni duke bë punë të keqe dhe ne duhet me ju pengu”, i tha Molliqaj atij,
Kryetari i PSD-së tha se nuk do ta lënë ZRRE-në të punojë pa e publikuar vendimin për shtrenjtimin e rrymës.