Partia Social Demokrate ka mbajtur një aksion në oborrin e Qeverisë së Kosovës, ku ka kritikuar ministrin e Financave Besnik Bislimi për deklaratat e tij për uljen e papunësisë, raporton Ekonomia Online.
Aktivistë të kësaj partie në hyrje të objektit të Qeverisë kanë vendosur një pankartë ku portretizohet Bislimi me përshkrimin “çmimi për arritje të lartë në ekonomi dhe propagandë”.
Natyra Kuçi, zëdhënëse e PSD-së ka thënë se ministri Bislimi ka problem me qasjen e tij në ekonomi.
“Pas sukseseve të njëpasnjëshme në muzikë e xhudo, pas Rita Orës, Dua Lipës e Majlinda Kelmendit jemi mbledhur për të shënuar edhe një zbulues të epokal të ekonomisë Besnik Bislimi. E si mund të atribuohet ky çmim një personi, i cili para disa ditëve tha që papunësia është ulur për 6.6% e mbrëmë në tha se këto shifra shënojnë në 7.1%”.
“9 mijë e 946 punëtorë që janë regjistruar për të marrë pakon prej 170 euro, këta punëtorë po konsiderohen nga Bislimi si punëtorë që janë punësuar tani dhe kanë ulur përqindjen e papunësisë”.
“Tani kemi një ministër, i cili njërit i konsideron shifra dhe vetëm nëse janë të numërueshme. Mbrëmë pamë edhe një deklaratë skandaloze e cila kaloi pa u vënë re ku thoshte se në papunësi nuk hyjnë personat që nuk janë të regjistruar”.
“Pra 100 mijë punëtorë që janë në tregun e zi të cilët nuk kanë kontrata dhe kushte pune për ministrin nuk ekzistojnë fare. Ata nuk hyjnë as në formulën e papunësisë për të parë se sa kanë humbur punën”.
“Ata të cilët po kalojnë nga tregu i zi po kalohet në pakon 170 në tregun e bardhë po e ulë papunësinë duke konsideruar që tregu joformal ra. Ministri ka problem me qasjen në ekonomi, sepse duhej të konsiderojë mirëqenien e qytetarëve”.
“Duhet marrë që pakot prej 170 euro që po iu jepen punëtorëve e që është dashtë të jetë 300. Nëse më herët i kanë marrë 300 në tregun e zi sot po marrin 170 euro. Rrjedhimisht po konsumojnë më pak. Hallka e kërkesës agregate është shkëputur dhe ne kemi rritje të mjerimit”.