Partia Socialdemokrate (PSD) ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të gjashtë aktivistëve të saj, të cilët u arrestuan gjatë protestës në kundërshtim të Gjykatës Speciale, raporton Ekonomia Online.
Anëtari i kësaj partie, Qendron Kastrati, tha se gjatë protestës janë arrestuar kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj dhe aktivistët Zgjim Hyseni, Nol Nushi, Korab Korça, Agron Kabashi dhe Gent Ibrahimi.
Arrestimi i tyre u bë në protestën e zhvilluar në kryeqytet, pas hedhjes së tymuesve në hyrje të hotelit ku kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova po qëndronte në një takim me shoqërinë civile.
“Sot ne si PSD kemi bërë një protestë për me sensibilizuar opinionin dhe me ritheksuar se çka është qëllimi i Gjykatës Speciale. Gjykata Speciale e ka një qëllim politik e ajo është që ta paraqes UÇK-në si një ndërmarrje e përbashkët kriminale. Kemi dashtë që të tregojmë që kushdo që vejnë nga Gjykata Speciale nuk është i mirëpritur në Kosovë. Shoqëria e ka të qartë që ka qëllim politik. E gjykon vetëm njërën palë”.
“Për fat të keq Policia e Kosovës ka përdorur një dhunë jo proporcionale. Një aksion simbolik kanë filluar me njësit më elite të policisë duke përdorur gazë lotsjellës dhe sprej. Unë qysh e pashë sperj u shpërnda edhe ka gazetarët e mediet. Ne nuk do te ndalemi do te vazhdojmë edhe me aksione te tjera. Kërkojmë që të lirohen aktivistet menjëherë sepse ka qenë aksion pa dashur që të dëmtohet dikush”, tha ai.