Partia Socialdemokrate (PSD), të enjten ka mbajtur një aksion simbolik për të kundërshtuar Projektligjin e ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës, para nisjes së seancës ku do të diskutohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për KPK, raporton Ekonomia Online.
Në hyrje të Kuvendit të Kosovës, PSD-ja ka vendosur një kukull me fotografinë e kryeministrit Kurti i veshur me togë të prokurorit, e në të cilën shkruan “Dua të bëhem prokuror”.
Anëtari i Kryesisë së PSD-së, Zgjim Hyseni, tha se ekzekutivi po kërkon që ta marrë nën kontroll organin e akuzës. Sipas tij, ky Ligj nuk e ka respektuar as vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Çka po kundërshtojmë sot është ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Prej se ka nisur punën në fakt prej se kanë nisur mandatin Qeveria Kurti është drafti i tretë mbi KPK. Draftin e parë i kanë rënë shkurt, katër anëtarë i zgjedhin prej Kuvendit me shumicë të thjeshtë, edhe tre prej prokurorëve. Kjo i bie kryeprokurorin me mujt me zgjedh kryeministri. Pasi që komisioni i Venecias ia ka asgjësua ketë ligj e kanë bërë strategjinë pak më perfide. Shërbëtoret më shkollë të Kurtit thanë tash shumica ka me qene e prokuroreve, sepse shumica me qenë e zgjedhur prej politikës nuk është as në Shqipëri as Serbi”, tha ai.
“Qysh e kanë menduar tash, kontrollin perfid, shumicë janë prokuror por pa u pajtuar anëtaret e zgjedhur prej politikës as një vendim me rëndësi nuk mundet me u marr. Këta i kanë dhënë veto me draftin e dyte anëtarëve të zgjedhur prej politikës, ky është cenim i balancit edhe autonomisë së sistemit të drejtësie, edhe këtë draft ja ka hedh poshtë Gjykata Kushtetuese. Tash hilja është te një periudhë tranzicionale. Këshilli aktual i ka 13 anëtarë, e kanë rrit këshillin aktual për përudhen tranzicionale në 18, plus 5 anëtarë krejt. Secili prej tyre ka me u zgjedh prej Kuvendit, pra me krijuar shumicën tash në mënyrë që me zgjedh kryeprokurorin. E kryeprokurori është një prej anëtarëve në atë përbërjen 4 me 3, pra matematika e tyre është një e kam në mend. Pra po duan me zgjedh kryeprokurorin duke e rrit këshillin aktual”, deklaroi ai.