Partia Socialdemokrate (PSD), ka zhvilluar një aksion simbolik në kryeqytet duke protestuar ndaj masave që ka marrë Qeveria e Kosovës. Kreu i kësaj partie, Dardan Molliqaj, tha se Qeveria Kurti ka prioritet pushtetin dhe jo mirëqenien e qytetarëve, raporton Ekonomia Online.
“Ajo që shprehim këtu është që ne nuk jemi kundër masave të qeverisë në tërësi. Por një nga masat që e kundërshtojmë është ora policore. Kjo masë ësht shabllon dhe jemi kundër”, ka thënë Molliqaj.
Në këtë aksion PSD e ka quajtur ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, “Dr. Hipokriti”.
Tutje, Molliqaj ka thënë se marrja e masave nuk e ka pasur për prioritet qytetarin e Kosovës.
“Kjo Qeveri mori masat vetëm pasi u zgjodh presidentja. Kjo qeveri e ka pasur pritoritetin numër dy në pandemi. Duhet të bëheshin dy javë që të merreshin masa. Jo rastësisht një ditë pasi u zgjodh presidentja që të marrë masa. Kjo tregon se qeveria kruti e ka prioritet pushtetin e jo mirëqënien. Si një Qeveri e majtë, qeveria Kurti nuk e ka prioritet mirëqënien dhe qytetarët janë mbyllur me vendim të ngutur”, tha ai.
“Refuzimi i vaksinave nga Shqipëria ëshë qasje e gabueshme. Bota po e ka një qasje tjetër. Bota perëndimore nuk po tregohet solidare dhe po përdorë vaksinat për vete. E qartë është se Kina dhe Rusia po e përdor vaksinën për politikë. Mos harroni se Kurti para zgjedhjeve ia dërgoi një mesazh Ramës, dhe ai duke qenë në garë zgjedhore vetë ia ktheu shpejt pa u menduar. Por kur Kurti u sigurua se nuk po shkojmë në zgjedhje mori vendim që mos të marrim vaksina”, shtoi Molliqaj.
Qeveria e Kosovës miratoi të hënën masa të reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Këto masa, për dy javët e ardhshme ndalojnë qarkullimin e qytetarëve nga ora 22:00 deri në 05:00, përveç në raste urgjente.