Partia Socialdemokrate e Kosovës ka akuzuar liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti për autoritarizëm. Në komunikatën e tyre atë kanë thënë se me ceremoni e simbole të shpikura po realizohet rituali politik i një regji të ri.
Figura e babës është e gjithëpranishme. Një rend i tillë nuk ka nevojë për kontroll e mbikëqyrje, sepse fryma e përditshme përshkohet nga autocensura. Në fund të fundit, baba edhe kur e ka keq, e ka mirë, apo jo? Figura e babës dhe ajo e autoritetit suprem janë fytyrat e disiplinës e kontrollit, moralit e fajit. Baba nuk e lejon ndërgjegjen e dytë në truallin e tij. Syri i tij bëhet shikimi yt, sepse ai nuk pretendon që është vetëm shteti, por ngadalë insiston të bëhet shoqëria. Si pjesë e këtij procesi të ri, lindin normat.
Përmes ceremonialeve e simboleve të shpikura e të përvetësuara, me himn partie e shami shesheve, realizohet rituali politik i një regjimi të ri. Aty nuk ka qendra mendimi, por vetëm vegla kufizimi. Mjafton ta lexojmë këtë aspekt për ta kuptuar sforcimin që përmes ritualit mundohet të konvertohet në besim. Regjimi i Kurtit rregullohet nga ligjet e veta.
Një mentalitet politik i cili mendon se e mira publike mund të përcaktohet dhe kuptohet, në tërësinë e saj, vetëm nga një lloj i qeverisjes, dhe të shtrihet deri në kapjen e secilit segment, nuk bënë gjë, përveç se ushtron tashmë dhunë, përmes ligjërimit publik. Në përdorimin e gjuhës si në slloganin “Krejt dhe drejt” institucionalizon mënyrat e konfliktit, në përpjekje për t’i sheshuar ato.
E kaluara dhe e ardhmja fshihen, sepse përjetësohet e tashmja. Fshirja e të kaluarës bëhet për përjetësimin e pushtetit të tashëm i cili prodhon dijen e re për faktet e vjetra. Ky është rend që zapton hapësirën dhe lë jashtë kohës çdo mundësi. Por për dallim nga e kaluara, ne nuk do të lejojmë që rasti i Kosovës të shndërrohet në tregim distopian.