Partia Socialdemokrate tha se 12 qershori shënon fundin e pranisë policore, ushtarake e administrative të Serbisë pushtuese. Kjo datë është hapja e perspektivës drejt Kosovës së pavarur.
“Çfarë mund të themi sot për ditën e çlirimit? Liria përpara se të ishte mundësi e realitet, ishte një ëndërr. Ajo rrezatonte e ndriçonte ditët më të errëta. Në shkolla e në punëtori, në burgje e internime; me parrulla e libra të ndaluar, ëndrra u rrit e u formësua; u bë ide që materializohet; një ditë e bëri edhe subjektin e saj besnik”.
“Sot që kujtojme ditën e çlirimit duhet ta ndërmendim guximin si virtyti që i hap rrugë progresit shoqëror. Lirinë si gjendje do të mund ta ruajmë vetëm përmes procesit të pandalshëm emancipues. Do ta ruajmë si perspektiva e Ngjarjes historike përkundrejt rrymave oportuniste që duan rehati; lirinë duhet aktualizuar edhe përkundër degradimeve të shoqërisë së konsumit, spektaklit e hedonizmit”.