Partia Social Demokrate (PSD) ka thënë se duhet hetuar menjëherë rritja e çmimeve të çerdheve private. PSD-ja ka thënë se çerdhet private po pritet ta rrisin pagesën mujore nga 100 në 130 euro.
“Këtë rritje duhet ta paguajnë prindërit. Por, kjo ndikon edhe tek rishqyrtimi i dërgimit të fëmijëve në çerdhe, për shkak të pamundësisë financiare. Këtu preket edhe struktura e familjes, pasi çdo prapakthim i forcon raportet tradicionale. Edhe ashtu numri i fëmijëve që shkojnë në çerdhe është vetëm 6.2 për qind”, ka thënë PSD-ja.
PSD-ja ka thënë se duhet të vendoset në nivel të lartë të urgjencës kombëtare ndërtimi i çerdheve publike.
“Në Kosovë janë vetëm 44 çerdhe publike. Ato nuk i përgjigjen nevojës që shoqëria ka për përfshirjen e fëmijëve në sistem edukimi dhe kujdesi, si dhe lirimin e prindërve nga kjo detyrë, si rol parësor. Qeveria në pushtet ka premtuar ndërtimin e 160 çerdheve gjatë këtij mandati. Këto përveç që janë pak, po duket se janë edhe të vonuara. Si do t’i ndërtojnë 160 çerdhe për dy vjet e gjysmë? Intervenimi në rritjen e çmimeve të çerdheve private duhet të jetë i menjëhershëm. Paralelisht me këtë, përmes ndërtimit të objekteve të reja, do të pushonte nevoja për çerdhe private, të cilat sot janë e vetmja alternativë. Edukimi i fëmijëve nuk guxon të lihet në dorë të privatit”, thuhet në reagim të PSD-së