PSD kërkon nga Qeveria e Kosovës njohjen e Palestinës si shtet

Prishtinë | 04 Qer 2024 | 19:35 | Nga Ekonomia Online

Partia SocialoDemokrate ka kërkuar nga qeveria e Kosovës ta njohë Palestinën shtet.

Ata kanë shkruar se konflikti në Gaza është një katastrofë që po shkon drejt gjenocidit.

” Janë rreth 36 mijë civilë të vrarë, më shumë se gjysma prej tyre fëmijë dhe pleq. Të gjallët janë nën gërmadha bombash, pa ujë, bukë, mjekë e ilaçe. Mbi 60 % e shtëpive janë shkatërruar, bashkë me tokën bujqësore dhe mjetet për peshkim. Një popull është i ekspozuar ndaj asgjësimit, nëse jo nga bombat, nga uria.Benjamin Netanyahu, gjithnjë e më shumë po i ngjan Millosheviqit. Atij i duhet lufta për ta ruajtur pushtetin. Ai është një autokrat që po izolohet nga bashkësia ndërkombëtare, ndërkohë që të vërtetën mbi Gazën po ia fsheh popullit të tij. Për ta ruajtur pushtetin, nuk ka më mandat votash, ai qëndron në saje të gjakut dhe mizorive në Gaza”.

Tutje, PSD ka shkruar se përpjekjet për armëpushim nuk duhet të jenë thjesht mohim i luftës. Duhet zhdukur shkaqet e luftës në mënyrë që ajo të mos përsëritet më. Në Palestinë si rrallëkund shihet aq qartë se paqja dhe liria janë e njëjta gjë. Paqja e përhershme është asgjë më pak se vetëvendosje për Palestinën. Pra, krijimi i kompaktësisë territoriale dhe njohja ndërkombëtare e shtetit.

“Kush don paqe sot, emri i saj është liri dhe vetëvendosje për Palestinën. Së fundi, Spanja, Norvegjia e Irlanda njohën Palestinën si shtet. Një gjë të tillë pritet ta bëjë shpejt edhe Sllovenia. Fushata e filluar për njohjen e Palestinës duhet vazhduar edhe në Kosovë. PSD kërkon nga Qeveria e Kosovës njohjen e Palestinës shtet, si kërkesë për paqe, liri dhe vetëvendosje. Sepse nervi human midis njerëzve do të jetë gjithmonë liria!”.

Të ngjashme